Avokati i Popullit, ka reaguar duke thënë se vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), për përcaktimin e strukturës tarifore ishte diskriminues.
“Vendimi i ZRRE-së ka elemente të diskriminimit dhe trajtimit të pabarabartë ndaj konsumatorëve. Tarifat e ndryshme e të bazuara në nivel të konsumit të energjisë elektrike janë në kundërshtim me nenin 47 të Ligjit Nr. 05/L-084 për Rregullatorin e Energjisë ku theksohet domosdoshmëria që tarifat të kenë karakter jo diskriminues”, thuhet në reagim.
Ata konsiderojnë se ky vendim duhet të kthehet në pikën zero, ndërsa është thënë se kanë krijuar një situatë të pabarabartë duke përjashtuar konsumatorët e veriut të Kosovës nga shtrenjtimi i rrymës.
“Vendimi i ZRRE-së për të përjashtuar konsumatorët e veriut të Kosovës nga shtrenjtimi i rrymës krijon situatë të diskriminimit të pjesës tjetër të konsumatorëve. Gjithashtu, subvencionimi në mes të kategorive të konsumatorëve me çmime të rregulluara vë gjithashtu ZRRE-në në pozicion diskriminues”, shton Avokati i Popullit.
Sipas tyre, masat afirmatike të vendosura nga ZRRE-ja nuk i gëzojnë njëjtë të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Vendimi për faturim retroaktiv dhe mos-reflektimi i saj në faturë si dhe mos-reflektimi i nivelit të subvencionimit në faturë përbën gjithashtu shkelje të të drejtës së konsumatorëve për informim. Masat afirmative të vendosura në vendimin e ZRRE-së nuk i gëzojnë njëjtë të gjithë konsumatorët me çmime të rregulluara dhe nga shtrenjtimi nuk preken njëjtë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, thekson njoftimi. “Vendimi i ZRRE-së për shtrenjtim selektiv të çmimit të energjisë, për vendosje të bllok tarifave dhe vendimi për subvencionim gjithashtu selektiv bien në kundërshtim me parimet e vendosjes së tarifave të përshkruara në legjislacionin vendor, me legjislacionin e Komunitetit të Energjisë.