Para disa ditësh u raportua se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se mund të tërhiqen nga dialogu Kosovë – Serbi pas vendimeve të Qeverisë së Kosovës për targat dhe reciprocitetin për letërnjoftim, raporton GazetaEnigma.
Pas pjesëmarrjes në tryezën “Kosova si shoqëri shumëgjuhëshe”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, replikoi edhe komentet e të dërguarit special të dialogut Kosovë – Serbi, nga Bashkimi Evropian, Miroslav Lajçak, i cili ishte shprehur se situata ka ndryshuar pas vendimit qeveritar për reciprocitet për letërnjoftime dhe për afatin për regjistrimin e veturave me targa të vjetra.
Kurti u shpreh se në këtë situatë mund të jetë frikësuar dikush në Bruksel, sepse sipas tij Lajçak, ka qenë i njoftuar për vendimet e fundit të Kosovës.
“Edhe Lajçak ka qenë vazhdimisht i njoftuar me veprimet tona. Unë e di qe ekziston një plan për takime edhe të kryenegociatorëve ndoshta edhe më shumë se aq, vetëm ta shohim se si dhe sa do të mund të përgatiten në Bruksel. Jemi të gatshëm dhe të interesuar për marrëveshje ligjërisht të obligueshme, të qëndrueshme dhe njohje reciproke në qendër. Por problemi mbase qëndron tek paralajmërimet nga Beogradi se ata mund te dalin nga dialogu. Mendoj se po bëjnë gabim dhe kjo mund ta ketë trembur pak dikë në Bruksel”, ka deklaruar kryeministri Kurti.
Lidhur me këtë çështje Gazeta Enigma, ka kontaktuar me ish – zëvendësministrin e Jashtëm, Anton Berisha, i cili u shpreh se kryeministri Kurti kishte premtuar se nuk do të dialogoj me Serbinë, pa i plotësuar disa kushte e ndër të tjera edhe kërkimfalje nga Serbia, por që sipas tij ai edhe hyri në dialog edhe zhvendosi dialogu, nga dialog – politik, në teknik.
“Ndonëse z.Kurti kishte premtuar se nuk do të dialogoj me Serbinë pa plotesimin e disa kushteve, ndërmjet tjerash edhe kërkimfaljen nga Serbia, ai jo vetëm që hyrin në dialog pa kushte por e zhvendosi dialogun që kishte filluar të hynte në kornizat politike në dialog teknik duke mundësuar Serbisë ta zgjasë procesin dhe t’ia adoptoj interesave të saj (Serbisë)”, u shpreh Berisha.
Sipas Berishës, momentalisht kryeministri Kurti, po e shfrytëzon dialogun për nevoja të tij politike.
“Në të njejtën kohë edhe kryeministri Kurti tash është duke e shfrytëzuar dialogun për nevoja të veta politike, në njërën anë nënshkruan marrëveshje, sikurse ajo për Energjinë, që e kishte refuzuar me çdo kusht ndër vite sa ishte në opozitë dhe në tjetrën anë merr vendime për të ‘sanuar’ efektet politike të kundërthënieve të veta”, shtoi ish – zëvendësministri i Jashtëm.
Berisha deklaroi se dialogu për Kurtin është “instrument për mbajtjen e pushtetit”.
“Me një fjalë, tash për të dialogu është instrument për mbajtjen e pushtetit, përderisa kjo i konvenon edhe Vuçiqt. Në gjithë këtë situatë, ajo çka është mëse e qartë është se dëmtohet pozicioni i Kosovës dhe kam frikë me pasoja afatgjata”, përfundoi Berisha.
Kurse njohësi i mardhënieve ndërkombëtare Shqiprim Pula, për Gazetën Enigma, thotë se vendimet e tilla nga Kosova, kanë qenë të vonuara, pasi që ka pasur dakordime për reciprocitet nga dialogu në Bruksel dhe se nuk duhet t’a trembin askë.
“Në parim vendim-marrjet shtetërore janë për gjithë qytetarët, pa dallim kombësie, dhe nuk do duhej t’a trembnin askë e as burokratët në Bruksel. Madje një vendim-marrje e natyrës së tillë, konsideroj se ka qenë e vonuar nisur edhe nga fakti se ka patur dakordancë mbi reciprocitetin që buronte nga dialogu në Bruksel, dhe nuk tregon asgjë më tepër se sa autoritet shtetëror mbi tërë territorin e Republikës”, u shpreh Pula.
Sipas tij ky vendim nuk sjellë efekte negative në dialog por vetëm neglizhim të takimeve të radhës.
“Krejt natyrshëm që efekti ligjor i një vendimi të tillë, do të krijoj një situatë të paqenë më parë, por, kjo bën të shtrijë autoritetin shtetëror edhe në pjesën e veriut të vendit. Ndërkaq, efekt negativ nuk do të ketë sepse është i ligjshëm e legjitim, mbase mund të ketë neglizhim të takimeve të radhës”, ka thënë Pula.
Ndër të tjera njohësi i çështjeve ndërkombëtare theksoi se tani Qeveria duhet të tregoj trajtim të barabartë dhe konsistencë politike mbi territorin e vendit.
“Qeveritë legjitime marrin vendime të drejta e normale, kështu që, për efektet pozitive të vendimeve do ti tregoj faktori kohë. Ajo çfarë më tej duhet të bëjë qeveria është të tregoj trajtim të barabartë dhe konsistencë politike mbi gjithë territorin e vendit”, përfundoi Pula.
Ndërkohë që kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, tha se vendimet e fundit të qeverisë së Kosovës për dokumentet personale dhe riregjistrimin e veturave e vendosin Serbinë në një situatë komplekse, veçanërisht serbët në Kosovë.
“Thelbi është ngacmimi i vazhdueshëm i serbëve, provokimet dhe terrori i vazhdueshëm ndaj serbëve dhe askush nuk bën asgjë për këtë, ata bëjnë një deklaratë që mund të jetë verbalisht më e ashpër ose më pak e ashpër, por në praktikë nuk do të thotë asgjë”, tha Brnabiq.
Drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i ka reaguar zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, pasi ky i fundit deklaroi se Kosova ka të drejtë që t’i heqë nga përdorimi targat që lëshohen nga autoritetet e Serbisë.
“Pra ai thotë se në bazë të marrëveshjes së vitit 2011 dhe 2016, Prishtina ka të drejtë të heqë targat KM. Kjo nuk është e vërtetë”, ka theksuar Petkoviq.
Petkoviq thotë se duhet të kujtohet Jarinja e Bërnjaku, duke aluduar në bllokimin e rrugëve nga serbët lokalë shtatorin e kaluar.
“Njëra targë është neutral KS dhe tjetra është RKS. Në shtator 2020, Prishtina hoqi targat KS dhe për këtë patëm këto probleme. Ta kujtojmë Jarinjën e Bërnjankun. Çfarë duhet të zgjedhin njerëzit tanë tani. Krejt çka mbeten janë targat e shtetit të Kosovës. A mendoni se dikush ka folur për këtë? Jo”, ka thënë Petkoviq.
Ai e ka quajtur “veprim të njëanshëm” të kryeministrit Kurti vendimin për reciprocitet sa i përket targave dhe letërnjoftimeve.
Sa i përket raportit Kosovë – Serbi, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për CNN, deklaroi se Serbia duhet të shkëputet nga gabimet e saj në të kaluarën dhe të kuptojë që pavarësia e Kosovës është realitet i pakthyeshëm.
“Është e qartë se njohja reciproke është në qendër të dialogut për Kosovën dhe Serbinë, dhe sa më shpejt që Serbia të kuptojë se pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, aq më mirë për ta po ashtu për paqen dhe stabilitetin, paqen dhe stabilitetin afatgjatë për gjithë rajonin. Kështu që unë shpresoj se Serbia do të shkëputet dhe do të merret me gabimet e saj, por më e rëndësishmja do të shkëputet nga trashëgimia e Millosheviqit”, ka theksuar Osmani. / GazetaEnigma