Strukturat paralele serbe të dielën në Veri të Kosovës i bllokuan rrugët duke shtënë në drejtim të Policisë së Kosovës plotë katër herë, por fatmirësisht nuk pati të plagosur apo vrarë.
Kjo gjë ndodhi për shkak se Qeveria e Kosovës më 29 qershor kishte vendosur se do t’i zbatonte vendimet për targat dhe dokumentet serbe për një muaj. Këto vendime parashohin lëshimin e dokumentit të posaçëm për hyrje/dalje në Kosovë për ata persona që posedojnë dokumente serbe.
Këtë praktikë është duke e zbatuar Serbia ndaj qytetarëve të Kosovës me vite të tëra.
Vendimi i dytë ka të bëjë për targat me akronime të qyteteve të Kosovës, të cilat i lëshojnë autoritetet e Serbisë.
Këto targa, Kosova i konsideron ilegale dhe deri më tani janë parë vetëm në veri të vendit.
Por, Qeveria e Kosovës vendosi që këtë vendim ta shtyej nga e hëna më 1 gusht 2022 dri më 1 shtator 2022 nëse hiqen të gjitha barrikadat dhe vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.
Shtyrje për 30 ditë të zbatimit të vendimeve të Qeverisë ka kërkuar ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Ai, megjithatë, pas një takimi që ka realizuar me zyrtarë të lartë shtetërorë në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se “të gjitha vendimet e Qeverisë janë në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe Qeveria amerikane nuk ka pasur shqetësim për to”.
“Ne mendojmë se një shtyrje e tillë do të ishte e rëndësishme, sepse duket se ka dezinformim dhe keqkuptime për këto vendime. Ne shpresojmë se do të punojmë me këtë Qeveri dhe kolegët nga Bashkimi Evropian që të sigurojmë se këto marrëveshje kuptohen më mirë dhe në këtë mënyrë të ulim tensionet”, ka deklaruar Hovenier.
Analisti politik, Gazmir Raci thotë se Kosova bëri mirë që vendosi ta shtyejë vendimin për një muaj në harmoni të plotë me SHBA-të dhe BE-në.
“Kosova bëri mirë që në harmoni të plotë me përfaqësuesin e Qeverisë Amerikane në Kosovë dhe të BE-së vendosi për vazhdim edhe për një muaj që mos të zbatohet reciprociteti për letrën e hyrje – daljes në Kosovë për të gjithë shtetasit e Serbisë”, thotë Raci.
Raci thotë se bashkëpunimi me SHBA-të është thelbësor për ekzistencën e shtetit të Kosovës.
“Është me rëndësi për politiken kosovare që bashkëpunimi me SHBA-të është thelbësor për vet ekskzistencen e shtetit të Kosovës”, thotë ai.
Ai thotë se Aleksander Vuçiq është aktor i mirë dhe dinë të bëjë drama të tilla. Sipas tij, tani presioni kalon te Serbia pas vendimit të Kosovës për ta shtyjë për një muaj vendimin për targa dhe për letrën hyrje – dalje.
“Gjendja e djeshme nuk ishte më e rënda në raport me Serbinë, për Vuçiq është aktor i mirë dhe dhe dinë të përgatisë drama të tilla, por tashëm i gjithë presion kalon te ai në mënyrë që ai përfundimisht duhet të shkëputet nga ndikimi rus me tendencën që përmes Kosovës të destabilizohet edhe Ballkani Perendimor”, vlerëson ai.
Kryeministri i Kosovës bëri të ditur se dhuna nuk do të tolerohet nga strukturat paralele serbe. Ai i quajti ato banda kriminale të cilat mbështeten nga Serbia.
“Strukturat ilegale të Serbisë janë bërë banda kriminale, agresive si rrallë më parë. Nuk është e lehtë për shtetin tonë sepse ato i mbështet i gjithë aparati shtetëror i fqinjit tonë verior”, tha kryeministri Kurti.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla bëri të ditur se nga zhvillimet e mbrëmshme janë lënduar 11 qytetarë.
“Nga zhvillimet e djeshme kemi 11 qytetarë të Kosovës që janë lënduar dhe kanë marrë trajtimet e nevojshme, janë dëmtuar disa vetura të qytetarëve dhe policisë nga strukturat ilegale kriminale të armatosura, dhe tashmë për to policia ka nisur hetimet”, tha ministri.
Ministri i MPB-së bëri të ditur se disa barrikada janë larguar dhe një pjesë barrikadave tjera kanë filluar të largohen.
“Me organet e rendit po punojmë për mbarëvajtjen e këtij procesi. I sigurojmë qytetarët se ky proces po vijon në bashkërendim të ngushtë mes njësiteve policore.
Institucionet do të jenë të gatshme në çdo moment ti asistojnë qytetarët që do të kenë nevojë për informacione shtesë”, tha Sveçla.
Kosova dhe Serbia kanë gjashtë pika kufitare: Bërnjakun, Jarinjën, Merdaren, Mutivodën, Dheun e Bardhë dhe Muçibabën./GAZETA ENIGMA/