Vendimi i Supremes, reagon Qeveria

Vendimi i Supremes, reagon Qeveria

Qeveria në detyrë ka reaguar e shqetësuar ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Supreme, e cila e ka shfuqizuar Udhëzimin Administrativ për pajisjet fiskale, duke e cilësuar këtë akt si rezultat të një interpretimi të njëanshëm dhe arbitrar të ligjit.

Në vendim, Supremja ka thënë se qeveria dhe ministri në detyrë nuk kanë kompetenca për të nxjerrë akte nënligjore, prandaj ka shfuqizuar Udhëzimin Administrativ të nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

E Qeveria në detyrë e kundërshton vendimin duke theksuar se “neni 31 i Ligjit për Qeverinë nuk ndalon qeverinë në detyrë nga miratimi i akteve zbatuese, por vetëm nga vendimmarrjet madhore si projektligjet, marrëveshjet ndërkombëtare, amendamentet kushtetuese dhe strategjitë”.

Qeveria thekson se procedura për hartimin e Udhëzimit Administrativ kishte nisur më 20 nëntor 2024, në kohën kur ekzekutivi kishte mandat të plotë kushtetues, dhe për këtë arsye akti ka legjitimitet të plotë si në aspektin proceduror, ashtu edhe në atë substancial.

“Vendimi i Supremes është i brishtë logjikisht dhe kushtetueshëm: njeh qeverinë në detyrë, por mohon kompetencën e saj për të nxjerrë akte që nuk janë të ndaluara me ligj, duke krijuar një kontradiktë të qartë”, thuhet në reagim.

Po ashtu, Qeveria në reagim ka kundërshtuar pretendimin për konflikt funksional mes funksionit të deputetit dhe atij të ministrit, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese (Aktgjykimi KO124/25), e cila ka konstatuar se Kuvendi nuk është funksionalizuar përderisa nuk është zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e tij.

Në fund të deklaratës, Qeveria paralajmëron përdorimin e mjeteve juridike për të kundërshtuar këtë vendim dhe për të “rikthyer ligjshmërinë dhe standardet demokratike”, duke theksuar përkushtimin e saj për respektimin e rendit kushtetues dhe funksionimin e pandërprerë të institucioneve.

Related Articles