Veprimi i papeshuar i Gërvallës kritikohet ashpër: “Rrezikon të na kthejë në objekt përqeshjeje”

Veprimi i papeshuar i Gërvallës kritikohet ashpër: “Rrezikon të na kthejë në objekt përqeshjeje”

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla është përballur me kritika për veprimin e nxituar, të papeshuar mirë, për të nxjerrë konstatimin se “raketat ruse vranë jetë të pafajshme polake” të martën pasdite.

Gërvalla ka ardhur në përfundim se raketat ruse ranë mbi territorin e Polonisë të martën, ndonëse faktet nuk ishin vërtetuar ende Polonia, një vend anëtar i NATO-s, dhe as nga aleatët.

Në një shkrim në Twitter, kryediplomatja kosovare i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të jetë më e vendosur për ta ndalur presidentin rus, Vladimir Putin përpara se “ta sjellë luftën në tërë kontinentin”.

“Të pikëlluar nga humbja e dy jetëve në Poloni, të cilët janë goditur nga raketat ruse. Jemi me familjet e tyre, Kosova qëndron krah Polonisë kundër regjimit të Putin. BE duhet të veprojë më vendomërisht për ta ndalur Putinin, përpara se ai dhe instrumentet e tij të sjellin luftën në tërë kontinentin”, ka shkruar Gërvalla.

Rreth dhjetë orë pas komentit të Gërvallës, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i cili thirri një takim të liderëve të mbledhur në Bali të Indonezisë për samitin e grupit të vendeve më të industrializuara, G20, tha se “nuk ka gjasa” që raketat të jenë hedhur nga Rusia.

“Ka informacion paraprak që e kundërshton këtë. Nuk dua ta them këtë derisa ta hetojmë plotësisht, por nuk ka gjasa në linjën e trajektores që të jenë hedhur nga Rusia. Por, do të shohim”.

Biden tha se Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të NATO-s do të bëjnë hetime të plota përpara se të veprojnë.

Që nga momenti i reagimit, Gërvalla është vendosur përball kritikave nga pjesëtarë të shoqërisë civile e medias në Kosovë.

Ish-drejtori i Universitetit Amerikan në Kosovë dhe analisti Ilir Ibrahimi, duke komentuar qëndrimin e Gërvallës, ka thënë se ky është “argumenti i Platonit se dy budallenj e mundin një të mençur”.

“Qe argumenti i Platonit se dy budallë e mujnë një të mençëm. Rezultati s’ka si mos jetë më i qartë”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, anëtari i shoqërisë civile, Agon Maliqi e ka cilësuar të ngutshëm veprimin e ministres së Jashtme. Ai ka thënë se qëndrimet e tilla të përfaqësuesve të lartë shtetërorë rrezikojnë ta kthejnë Kosovën në objekt përqeshje.

“Kish qenë mirë ministrja Gërvalla nja dy herë me u mbush frymë e me numëru deri në 10 para se me shkrujt tweet-a impulsiv dhe të papjekur që e nxisin BE-në (pse BE-në e jo NATO-n?) për ta thelluar luftën me Rusinë, e që rrezikojnë me na kthy në objekt të përqeshjes”, ka thënë ai.

Shpërthimi në Poloni ndodhi pasi Rusia sulmoi me raketa disa qytete të Ukrainës.

Kievi tha se sulmet e së martës ishin vala më e rëndë e tyre në gati nëntë muaj luftë.

Disa raketa goditën edhe Lvivin, i cili ndodhet më pak se 80 kilometra larg kufirit me Poloninë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se raketat ruse goditën Poloninë, duke përshkallëzuar në mënyrë të konsiderueshme konfliktin. Megjithatë, ai nuk paraqiti ndonjë provë për përfshirjen e Rusisë.

“E gjithë Evropa dhe bota duhet të mbrohen plotësisht nga Rusia terroriste”, shkroi Zelensky në Twitter, pas një telefonate me presidentin polak, Andrzej Duda.

Dy diplomatë evropianë thanë se Polonia kërkoi një takim të NATO-s, që pritet të mbahet gjatë ditës së sotme, në bazë të Nenit 4 të Traktatit të NATO-s për konsultime midis aleatëve.

Related Articles