Vërejtje gjyqësore ndaj të akuzuarit që tentoi ta sulmonte Rrahman Jasharajn

Vërejtje gjyqësore ndaj të akuzuarit që tentoi ta sulmonte Rrahman Jasharajn

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallë fajtor të akuzuarin, Musli Rexhepi, duke i shqiptuar vërejtje gjyqësore, për akuzën se tentoi ta sulmonte fizikisht kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Teknoligjisë (SBASHK). Rrahman Jasharaj, gjatë një mbledhje në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë.

Shpallja e aktgjykimit ndaj të akuzuarit Rexhepi, u bë të hënën nga gjykatësja Namie Krasniqi- Jashanica.

Sipas aktgjykimit, gjykata i ka shqiptuar të akuzuarit vërejtje gjyqësore, me të cilën vërejtje i bëhet me dije të akuzuari Rexhepi se ka kryer vepër penale dhe nëse përsëritë vepra të tjera të tilla penale, gjykata do të shqiptojë një dënim më të rëndë penal.

Shpenzimet e procedurës penale bien mbi barrën e mjeteve buxhetore të gjykatës.

Paraprakisht, në seancën e mbajtur po të njëjtën ditë, është bërë administrimi i provave materiale, për të cilat palët në procedurë nuk patën vërejtje.

Pas kësaj, seanca ka vazhduar me dhënien e mbrojtjes nga i akuzuari Musli Reshepi.

I akuzuari Rexhepi duke u përgjigjur pyetjeve të mbrojtësit të tij, avokatit Tomë Gashi, ka deklaruar se në ditën kritike (5 shtator 2022), kishte shkuar në shkollën “Ismail Qemali” si njeri i thjeshtë, për të pyetur se a po fillon mësimi apo jo.

Më pas, ai ka thënë se nga disa persona në shkollë i kanë thënë që ka të drejtë të hyjë në mbledhjen që po mbahej nga Sindikata, kurse nga disa i kishin thënë që jo, me arsyetimin se nuk është i ftuar.

Tutje, i akuzuari Rexhepi ka thënë se e kanë lejuar që të hyjë në mbledhje të Sindikatës, mirëpo që nga kjo mbledhje kishte dëgjuar shumë pak pasi që kishte qenë në përfundim.

I akuzuari Rexhepi ka theksuar se dëshira e tij ka qenë të ndërprehej greva, por jo me veprimet e tij.

Në anën tjetër, duke u përgjigjur pyetjeve të prokurorit Blerim Igrishta, i akuzuari Rexhepi ndër të tjera ka thënë se pas përfundimit të mbledhjes nga SBASHK, nga salla deri në korridor nuk kishte ndodhur asgjë.

Po ashtu, duke u përgjigjur pyetjeve të përfaqësuesit të palës së dëmtuar, i akuzuari ka deklaruar se Rrahman Jasharajn asnjëherë nuk e kishte parë deri në momentin kur ai kishte qenë në gjykatë.

Ndërkaq, në pyetjen e gjykatëses Naime Krasniqi-Jashanica, i akuzuari Rexhepi ka pohuar se ishte ndjenja e gjyshit të shoh se pse nuk po vazhdon mësimi për mbesën e tij.

Më pas, në këtë seancë është dhënë fjala përfundimtare nga palët në procedurë.

Prokurori Igrishta ka thënë se mbetet në tërësi prapa aktakuzës, kundër të akuzuarit Rexhepi, duke konsideruar se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor është vërtetuar në tërësi se tani i akuzuari ka kryer veprën penale, siç është përshkruar në dispozitiv të kësaj aktakuze.

Prokurori ka kërkuar nga gjykata që mbrojtjes së dhënë nga i akuzuari Rexhep të mos ia falë besimin, me arsyetimin se i njëjti duke tentuar të ikë përgjegjësisë penale e mohon çfarëdo kontakti me të dëmtuarin apo me personat që kanë qenë aty.

Në fund, prokurori Igrishta ka kërkuar nga gjykata të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe të njëjtit t’i shqiptojë dënim meritor.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, e ka përkrahur në tërësi fjalën përfundimtare të prokurorit, dhe ka shtuar se për shkak të moshës së të akuzuarit, heqin dorë nga kërkesa pasurore-juridike.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Rexhepi, avokati Gashi ndër të tjera ka thënë se pa dashje, nuk kryhet kjo vepër dhe dashja në këtë rast nuk ka ekzistuar dhe nuk ka mundur të imagjinohet dhe për këtë arsye nuk është vërtetuar elementi kryesor për të ekzistuar kjo vepër penale, për shkak se kjo aktakuzë nuk e kalon as pragun e dyshimit të bazuar mirë.

I akuzuari Musli Rexhepi e ka mbështetur në tërësi fjalën e mbrojtësit të tij, avokatit Gashi.

Sipas aktakuzës, më 5 shtator 2022, rreth orës 11:40, i akuzuari Musli Rexhepi pasi që kishte shkuar në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë për ta dërguar mbesën e tij për mbajtjen e mësimit kur e ka vërejtur se mësimi nuk po mbahet dhe arsimtarët janë në grevë, i njëjti ka hyrë brenda në shkollë ku ishte duke u mbajtur takimi i grevistëve me kryetarin e sindikatës dhe me të përfunduar ky takim derisa i dëmtuari Rrahman Jasharaj, kryetari i SBASHK-ut po dilte nga takimi, i akuzuari duke përdorur forcë dhe kanosje serioze me qëllim të pengimit të grevës, në mënyrë të kundërligjshme e ka kanosur tani të dëmtuarin me fjalët “ O plak po na i len fëmijët pa shkollë, kam me të vra”.

Aktakuza thotë se i akuzuari tenton që ta sulmojë, por ndalohet nga të pranishmit dhe me këtë rast tek i dëmtuari ka shkaktuar ndjenjën e pasigurisë.

Me këtë, Rexhepi akuzohej se ka kryer veprën penale “Cenim i të drejtës në grevë”, nga neni 221, par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Related Articles