Banorët e Turjakës në komunën e Malishevës kanë filluar të evakuohen nga zonat e rrezikuara pas reshjeve të dendura të shiut që kanë rritur nivelin e ujit në digën e lumit Mirusha.
Largimi i banorëve po bëhet për shkaqe sigruie, ndërkaq autoritetet komunale po vazhdojnë të monitorojnë situatën nga afër.
Rritja e nivelit të ujit ka ngritur shqetësime për stabilitetin e digës, prandaj banorët e zonave përreth po dërgohen në vende më të sigurta.
Shtabi Emergjent për menaxhimin e situatave emergjente u ka bërë apel të gjithë qytetarëve të Komunës së Malishevës që të shmangin lëvizjet e panevojshme, për shkak të gjendjes së rënduar të krijuar nga reshjet e pandërprera.
Si pasojë e këtyre reshjeve shumë rrugë janë bllokuar.
“Shumë rrugë janë bllokuar nga uji si pasojë e rritjes së nivelit të lumenjve dhe përroskave, duke e vështirësuar qarkullimin. Andaj, lusim qytetarët që të mos lëvizin pa nevojë dhe, në rastet kur lëvizja është e domosdoshme, të shfrytëzojnë rrugët alternative”, thuhet në njoftimin e Komunës së Malishevës.
