Vërshimet në vend: Mjeku thotë se uji është i sigurt për pije, MSH bënë thirrje për kujdes të shtuar dhe t’a vlojn ujin

Vërshimet në vend: Mjeku thotë se uji është i sigurt për pije, MSH bënë thirrje për kujdes të shtuar dhe t’a vlojn ujin

Pothuajse kanë kaluar një javë që kur nisën shirat e rrëmbyeshëm në vendin tonë duke shkaktuar vërshime në disa komuna si Skenderaj, Klina, Mitrovicë e Jugut, Istog dhe Podujevë.



Përveç dëmeve të mëdha materiale që iu ka shkaktuar qytetarëve të këtyre komunave, vërshimet kanë bërë që të ketë turbullira të ujit dhe reduktime në disa komuna në Kosovë, shkruan Gazeta “Enigma”. 

Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me zëdhënësen e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit në “Prishtinë”, Arjeta Mjeku e cila ka deklaruar se uji për pije është i sigurt 100%. 

Zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit në “Prishtinë”, Arjeta Mjeku 

“Uji për pije është i sigurt 100% në aspektin kimik dhe bakteriologjik, sepse ne e trajtojmë ujin dhe dezinfektojmë sipas standardeve për ujë të pijshëm”, tha Mjeku. 

Tutje ajo ka shtuar se cilësia e ujit të pijes sipas standardeve është brenda normales, dhe mund të përdoret për pije. 

“Cilësia e ujit është brenda  vlerave normale sipas  standardeve për ujë të pijshëm dhe me përgjegjësi të plotë iu themi se ujin të cillin e pëpunojmë dhe e distribuojmë për qytetarët është ujë I pijshëm”, ka deklaruar Mjeku për Enigmën. 

Mjeku ka theksuar se ujin që e përpunojnë dhe distribuojnë për qytetarët testohet çdo ditë në Laboratorin Qëndror, dhe kontrollohet çdo dy orë. 

“Analizat e ujit për pije bëhën çdo ditë në Laboratorin Qëndror dhe kontrollohen çdo 2 orë në  laboratoret lokale të ITU Albanik ,  Badovc , Shkabaj dhe Drenas ,SP dhe Rezervuare  me parametra bazik”, ka theksuar ajo. 

Sipas saj nuk ka vend për shqetësim uji mund të përdoret për pije, gjendja monitorohet 24/7. 

“Uji është i sigurt për konsum njerëzor  U.A Nr.10.2021 dhe nuk ka vend për shqetësim, jemi duke e monitoruar gjendjen 24/7!”. 

A do të ketë reduktime të ujit? 

Mjeku ka theksuar se niveli i ujit në liqenin e Batllavës është maksimal, ndërsa në Badovc është nën nivelin maksimal. 

“Niveli i ujit në liqenin e Batllavës është në nivelin maksimal, ndërsa niveli i ujit në liqenin e Badocit është – 7.95 m nën nivelin maksimal të kapërderdhjes”, tha ajo. 

“Sa i përket reduktimeve, për shkak të turbullirës së ujit në kanalin e Ibrit njoftimi i mëhershëm ende është i njejti”, ka deklaruar Mjeku për Enigmën. 

Mjeku: Ju njoftojmë se si shkak i reshjeve të dendura me vërshime,  vazhdojmë të kemi turbullirë të lartë të ujit në kanalin e Ibrit 

“Për qytetin e Drenasit, ju njoftojmë se kemi filluar trajtimin e ujit në orët e mesnatës me kapacitet të ulët trajtimi, duke filluar edhe furnizimin me ujë në orët e mëngjesit të sotëm. Drenasi sot furnizohet nga ora 6:00-11:00, pastaj duhet akumulim, për t’u rikthyer furnizimi me ujë në orët e darkës për Drenas. Pikat e larta në Drenas që nuk janë furnizuar me ujë nga sistemi i furnizimit, kanë autobotin (auto cisternën) si alternativë për situatën që po kalojmë”, ka njoftuar Mjeku. 

Mjeku shtoi se uji që lëshohet për furnizim pas reduktimeve është I pijshëm dhe nuk ka vend për panik. 

“Përderisa,  ITU Shkabaj është jashtë funksionit qytetet si: Fushë Kosova së bashku me Zonën Industriale, lagjja Kalabria, Obiliqi po furnizohen nga alternativa tjera, respektivisht nga Impiantet tjera. Për këtë do të kenë  reduktime të furnizimit me ujë në oraret e njëjta sikurse ditët tjera duke vazhduar edhe sot nga ora 10:00 dhe do zgjasë deri në 16:00. Pastaj nga ora 16:00-20:00 kanë furnizim me ujë, për të vazhduar edhe ditën e nesërme me të njëjtin orar, vetëm se furnizimi për ditën e nesërme fillon në ora 05:00 në mëngjes. Për zonat e Kryeqytetit, reduktime jemi shtrënguar të aplikojmë nga ora 23:00-5:00, përveç qendra e qytetit, QKUK, QKMF-të, Dardania”, ka deklaruar Mjeku. 

“Jemi në gjendje gatishmërie me të gjitha potencialet teknike/operative”, ka përfunduar ajo. 

Në lidhje me këtë çështje Gazeta Enigma ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, por deri më tani (24 janar 2023) nuk ka marr përgjigje.

Ministria e Shëndetësisë përmes një postimi në faqen e tyre zyrtare në Facebook kanë bërë apel që të kenë kujdes të shtuar dhe t’a vlojn ujin.

“Uji para përdorimit patjetër të vlohet si masë e sigurisë bakteriologjike e zbatueshme në situata me turbullirë të shtuar në resurse për të parandaluar shpërthimin e epidemive hidrike”, thuhet në njoftimin e tyre.

Sipas tyre “kjo procedurë e vlimit të ujit është aq e thjeshtë dhe e zakonshme, por e domosdoshme për të parandaluar shpërthime epidemike”.

“Të shfrytëzohen resurset e sigurta ose uji i ambalazhuar. Si pasojë e vërshimeve në pjesën më të madhe të vendit tonë situata me ujë të pijes është vështërsuar dukshëm”.

Sipas këtij njoftimi “Qeveria e Republikës së Kosovës ka ngritur nivelin e gatishmërisë me të gjitha institucionet përkatëse”.

Ekipet e Institutit Kombëtar po vazhdojnë me vigjilencë të shtuar dhe janë në monitorim të pandërprerë të ujit të pijes.

“Të gjitha QRSHP në Kosovë janë në gjendje gatishmërie me ekipe kujdestare pa ndërprerë me specialistët e ekologjisë humane dhe epidemiologjisë dhe po monitorojnë situatën epidemiologjike e cila është në kontroll dhe nuk ka raste të dyshimta të sëmundjeve ngjitëse si pasojë e vërshimeve”, thuhet në njoftimin e MSh-së.

Duke pasur parasysh se janë regjistruar vlera të shtuara të turbullirës në shumë burime, si pasojë ka vështirësi në trajtim të ujit në zonat me të dhënat e përditësuara (23 Janar 2023):

KRU “Prishtina”- Rajoni Prishtinë: Fabrika në Shkabaj mbetet jashtë funksionit.

Fabrika në Drenas ka startuar mbrëmë me trajtimin e ujit me kapacitet të zvogëluar. Për shkak të uljes së kapacitetit prodhues janë duke u zbatuar restriksione në tërë zonat e shërbimit të KRU-Prishtina.

Të gjitha mostrat e testuara në laboratorët e IKSHPK janë brenda standardeve për ujë të pijshëm sipas Udhëzimit Administrativ Nr.10/21 për cilësi dhe konsum human. Klori rezidual në rrjetin shpërndarës është 0,2mg-0,3mg/L. Rekomandohet që uji para përdorimit të vlohet.

KRU “Mitrovica”- Rajoni Mitrovicë: Fabrikat në Shipol- Mitrovicë dhe në Balicë- Vushtrrisë janë në funksion të plotë me trajtimin e ujit.

Në mostrat e grumbulluara, analizat laboratorike fiziko-kimike dhe bakteriologjike rezultojnë se uji nuk është brenda standardeve, andaj rekomandohet që uji para përdorimit të vlohet. Klori rezidual në rrjetin shpërndarës është 0,2mg-0,3mg/L në Mitrovicë, Vushtrri dhe Skenderaj. Për shkak të vërshimeve uji i puseve nuk është i sigurt dhe duhet patjetër të vlohet para përdorimit.

KRU “Hidrodrini”- Rajoni i Pejës: burimin Drini i Bardhë –Radavc dhe burimi Shkozë, Junik.

Turbullira vazhdon me qenë prezente në burimet Burimi Drini i Bardhë-Radavc dhe burimi Shkozë-Junik. Ndërsa për shkak të vërshimeve dhe prurjeve në burime, është ndërprerë furnizimi me ujë nga burimi Jarinë – Klinë dhe tani furnizimi bëhet vetëm nga fabrika e ujit në Klinë.

Burimi i Istogut paraqitet akoma me turbullirë, nuk rekomandohet për pije dhe para përdorimit duhet të vlohet.

Të gjitha mostrat e testuara në laboratorët e QRSHP – Pejë janë brenda standardeve për ujë të pijshëm sipas Udhëzimit Administrativ Nr.10/21 për cilësi dhe konsum human. Klori rezidual në rrjetin shpërndarës është 0.1mg-0,3mg/L.

KRU “Gjakovë”- Rajoni i Gjakovës:

Në zonat e furnizimit nga KRU”Gjakova” gjendja e cilësisë së ujit të pijes është e qetë, pos sistemi i Gërqinës, i cila akoma turbullirë të shtuar, andaj uji nuk rekomandohet për pije dhe dhe para përdorimit duhet të vlohet. Të gjitha mostrat e analizuara janë brenda standardeve të parapara për ujin e pijshëm. Klori rezidual në rrjetin shpërndarës është 0,3mg-0,35mg/L.

KRU “Bifurkacioni”- Rajoni Ferizaj: fabrika në Pleshinë dhe sistemi në Kaçanik.

Të gjitha mostrat e ujit të cilat janë marrë në Ferizaj janë brenda standardeve për ujin e pijes. Klori rezidual në rrjetin shpërndarës është 0,2mg-0,3mg/L.

Në ujësjellësin e Kaçanikut, Hanit të Elezit dhe Shtërpcës, mostrat e ujit nuk përmbushin standardin. Klori rezidual në rrjetin shpërndarës është 0,02mg/L. Rekomandohet që uji para përdorimit të vlohet.

KRU “Hidromorava”- Rajoni Gjilan:

Të gjitha mostrat e ujit të cilat janë marrë në Gjilan janë brenda standardeve për ujin e pijes. Klori rezidual në rrjetin shpërndarës është 0,1mg-0,2mg/L. Për shkak të shtimit të turbullirës, fabrika në Letnicë-Viti ka ndërprerë furnizimin me ujë të pijes.

IKSHPK/Qendra e ujit rekomandon dhe apelon qytetarët që:

Uji para përdorimit patjetër të vlohet si masë e sigurisë bakteriologjike e zbatueshme në situata me turbullirë të shtuar në resurse për të parandaluar shpërthimin e epidemive hidrike.

Kjo procedure e vlimit të ujit është aq e thjeshtë dhe e zakonshme, por e domosdoshme për të parandaluar shpërthime epidemike. Të shfrytëzohen resurset e sigurta ose uji i ambalazhuar.

IKSHPK / Qendra e Ujit rekomandon të gjitha Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) me qëllim të stabilizimit të furnizimit:

• Përcjellja e vlerave të turbullirës dhe kujdes i shtuar në procesin e trajtimit

• Kujdes i shtuar në procesin e dezinfektimit

• Mbrojtje të stabilimenteve dhe të burimeve

• Sanimin e gjendjes aktuale në rast të defekteve teknike

• Riparimi dhe debllokimi i pusetave

• Sanimi i dëmtimeve ne rrjetin shpërndarës

Bashkëveprimi i IKShPK/QU dhe KRU-ve me institucionet shtetërore është në kontinuitet deri në qetësimin e situatës.

Ekipet e Institutit Kombëtar janë në gjendje gatishmërie dhe vazhdojnë me monitorim të rregullt dhe në dispozicion me të gjitha kapacitetet për të ruajtur situatën stabile dhe për çdo përkeqësim të situatës epidemiologjike do të informoheni në kohë reale.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles