Në 10 seanca me radhë është duke dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës.
Për situatën në të cilën është vendi, Kadri Kryeziu, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, ka thënë se të drejtë ankese apo parashtrimit të pyetje në Kushtetuese ka vetëm presidentja Vjosa Osmani.
Në emisionin Info Magazine, ai ka deklaruar se të drejtë ankese në Kushtetuese nuk kanë deputetët e kësaj legjislature deri tani, pasi tha se ende nuk janë formuar Grupet Parlamentare.
“Vetëm një mundësi është për momentin presidentja e shtetit duhet të shfrytëzojë autoritetin e saj kushtetues, ku thuhet se gjatë procedimit ose gjatë zgjedhjes së Kuvendit mund të ketë shkelje kushtetuese, ta bëjë një pyetje se gjatë këtyre ditëve a ka pasë shkelje kushtetuese dhe si veprohet më tej”.
“Gjykata Kushtetuese e ka për detyrë të japë një mendim, të bëjë interpretimin e Kushtetutës, të bëjë interpretimin e Rregullores, por nuk ka të drejtë të përcaktojë data dhe afate, datat dhe afatet i përcakton vetëm Kuvendi. Gjykata mund të jap një mendim më shumë të karakterit të filozofisë së drejtë, se sa karakterit pragmatik të së drejtës”, ka thënë Kryeziu.