Ndërrimi i gjeneratës ka filluar te Përfaqësuesja e Italisë pas humbjes nga Argjentina në “Finalissima”. Italia u mposht të mërkurën mbrëma në Londër me shifrat 3:0 nga Argjentina, që u tregua superiore ndaj kampiones së Evropës.
Një ditë pas kësaj disfate, përzgjedhësi Roberto Mancini ka bërë freskime në listën e tij. Ai ka paralajmëruar ndërrimin e gjeneratës duke filluar nga edicioni i tretë i Ligës së Kombeve, që për Italinë nis të shtunën, me ndeshjen kundër Gjermanisë.
Pasi Giorgio Chiellini u largua nga Italia pas ndeshjes me Argjentinën, të enjten Mancini ka dërguar në shtëpi edhe disa veteranë të tjerë. Bëhet fjalë për Jorginhon, Federico Bernardeschin, Emerson Palmierin, Lorenzo Insignen e Marco Verrattin. Një gjë e tillë u konfirmua edhe nga Federata e Futbollit të Italisë (FICG). Në vend të tyre, Mancini ka ftuar lojtarë që nuk i pati në listë për ndeshjen kundër Përfaqësueses së Argjentinës.
“Përveç Giorgio Chiellinit, i cili luajti ndeshjen e fundit me Italinë, Federico Bernardeschi, Emerson Palmieri, Lorenzo Insigne, Jorginho dhe Marco Verratti janë larguar nga kampi stërvitor. Në grup janë përfshirë lojtarët që nuk ishin në listën e skuadrës për ndeshjen kundër Argjentinës, të cilët pasi kanë përfituar dy ditë pushim janë rikthyer në dispozicion të Roberto Mancinit për katër ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve”, thuhet në njoftimin e Federatës italiane.
Pas duelit me Gjermaninë, Italia do t’i luajë edhe tri ndeshje të tjera në kuadër të Ligës A të Ligës së Kombeve. Tri ditë pas ndeshjes me Gjermaninë, Italia e pret Hungarinë, përpara se të përballet në udhëtim me Anglinë (11 qershor) dhe me Gjermaninë (14 qershor).
Sipas mediumeve italiane, Mancini do të synojë të inkuadrojë fytyra të reja në këto ndeshje pasi synimi i tij është që ta ndërrojë gjeneratën. Dueli me Argjentinën në Londër doli të jetë një kthim i hidhur për Italinë në stadiumin “Wembley”, në të cilin triumfoi në finalen e “Euro 2020” ndaj Anglisë pas penalltive. Në fakt, ishte vetë përzgjedhësi Mancini që paralajmëroi se do të bëjë ndryshime. Ai pranon se Italia do të ketë momente të vështira gjatë këtij procesi të reformimit.
“Mund vetëm të falënderoj ata djem që luajtën gjatë katër vjetëve të fundit dhe të gjithë jemi thellësisht të zhgënjyer që do të mungojnë në Kampionatin Botëror. Skuadra është e lodhur dhe synimi ynë ka qenë gjithmonë që të fillojmë procesin e ndryshimit pas kësaj ndeshjeje me Argjentinën”, ishin fjalët e Mancinit. “Por do të ketë disa momente të vështira dhe ne duhet ta pranojmë këtë, sepse do të duhet kohë që fytyrat e reja të rriten. Do të jetë tepër e vështirë, sepse disa nga këta djem të rinj nuk luajnë as në Serie A”.