Anulim të afro 19 mijë votave me postë të LDK-së dhe shpallje të rivotimit me postë në diasporë ishin ndër ankesat që Lëvizja Vetëvendosja i deponoi në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në orën e fundit të afatit të ligjshëm për ankesa.
Kjo menjëherë pas shpalljes së rezultateve përfundimtare zgjedhore e që do të duhej të hapte rrugë për certifikimin final.
Blerim Sallahu dhe Alim Rama, në një konferencë për media kanë njoftuar se kanë dërguar “20 faqe” ankesë me, siç pretendojnë, “prova të manipulimeve” të votave nga LDK-ja.
Lëvizja Vetëvendosje e cila në zgjedhjet e 9 shkurtit, sipas rezultateve përfundimtare të shpallura javën që lam pas nga KQZ, kishin fituar 42,3% të votave, nuk po e pranon këtë rezultat.
Andaj ata janë ankuar sërish në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
“Për shkak të manipulimeve dhe keqpërdorimeve të shumta nga anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe personat e angazhuar prej këtij subjekti, votimi me postë ka pasur një adresë të vetme – Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ky proces ka qenë i organizuar në mënyrë të manipuluar, masive dhe kolektive nga të njëjtët persona, me të njëjtin laps, të njëjtën ngjyrë dhe të njëjtat duar”, tha Blerim Sallahu. “Gjithashtu, që nga faza e regjistrimit të votuesve – ku qindra prej tyre janë regjistruar me të njëjtin numër telefoni – e deri te plotësimi dhe dërgimi i fletëvotimeve, ky proces ka qenë një organizim manipulativ i njerëzve të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe strukturën e saj”.
Sallahu tha se Vetëvendosje i ka paraqitur PZAP-së tri kërkesa kryesore.
“Anulimin e 18.933 votave të LDK-së të ardhura në mënyrë të manipuluar; Rivotim me postë; Largimin nga lista të kandidatëve që kanë marrë vota në mënyrë të pakrahasueshme më shumë përmes votimit me postë sesa në vendvotime në Kosovë dhe moszëvendësimin e tyre me anëtarë të tjerë të LDK-së”.
Ndërkaq, sekretari organizativ i LVV-së, Alim Rama, tha se manipulimi ka nisur që vitin e kaluar kur në dhjetor kryetari i LDK, Lumir Abdixhiku kishte deklaruar se kishin 25 mijë vota.
Ai tha se koordinatori i LDK-së për diasporën, Shkumbin Gashi, ka qenë subjekt i një procesi gjyqësor lidhur me manipulimin e votave me postë në zgjedhjet e vitit 2021. Nga ky proces, bashkëpunëtorët e tij janë shpallur fajtorë, tha Rama.
“Grafika ilustruese e manipulimit tregon se si rezultatet e votimit të rregullt në Kosovë dhe në ambasada, ku procesi është i ngjashëm me atë në Kosovë, ndryshojnë ndjeshëm nga ato të votimit me postë. Në këtë të fundit, disa kandidatë që fillimisht renditeshin shumë poshtë në listë, kanë dalë në krye”, tha Rama.