“Vetura mu vodh për 3 minuta, rastin ma mbyllën”, flet pronari i Range Rover pas sulmit në Top Channel

“Vetura mu vodh për 3 minuta, rastin ma mbyllën”, flet pronari i Range Rover pas sulmit në Top Channel

Ramadan Makolli ka rrëfyer ngjarjen se si i ishte vjedhur për tre minuta vetura e tipit “Range Rover” në verën e vitit 2020 në vlerë prej 36 mijë eurosh në Lezhë. Kjo veturë dyshohet se u përdorë nga autorët e sulmit me armë ndaj Top Channel ku mbeti i vrarë roja i këtij objekti, 60-vjeçari Pal Kola. E më pas të njëjtës iu vu flaka, por që nuk i kishte targat “01”, asaj i ishin ndërruar.

Pronari i veturës, Ramadan Makolli tha se rastin atëkohë e kishte raportuar në polici e në prokurori në Lezhë, por se vetura kishte “shëtitur” lirshëm 3 vjet, derisa dje u gjetë e djegur. Madje sipas tij, policia atje edhe e kanë mbyllur rastin.

Atij i është konfirmuar dje nga policia se vetura e djegur ishte e njëjta që e kishte raportuar të vjedhur në vitin 2020.

“Unë e kam dosjen komplet kur mu ka vjedh vetura para restorantit. Policia e kufirit për Krime të Randa ata e kanë gjetë përmes numrit të kerrit, se kerri është krejtësisht i djegur. Me kanë informu policia e Kosovës, e kanë lyp në Shqipëri nuk ka rezultu, kur kanë thirrë në Kosovë ka dal që është kerri i Kosovës edhe i njëjti më është vjedhë para 3 vjete e kam me datë se e kam lajmëru policinë e prokurorinë atje, bile ata nuk kanë dashtë mem dhanë as informata, as dokumente që mu ka vjedhë kerri, me zor e kam marrë, por nuk dojsha mu kthy kurrqysh se nuk kisha dokument. Me iniciative temën ma kanë dhanë një dokument të prokurorisë edhe ma kanë mbyll lëndën si proces pa më thirrë, as pa më marrë në pyetje. Mu ka desht me avokat me hap procedurën”, tha ai për Express.

Related Articles