Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbёrie Nagavci po raporton në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, raporton Gazeta Enigma.
Temë diskutimi në këtë mbledhje ishte të drejtat e vajzave me mbulesë si dhe çështja e personave të verbër dhe përfshirja e tyre në shkolla.
Nagavci, gjatë kësaj mbledhje ka thënë se është ballafaquar me sfida të shumta për shkak të vështirësive që ka shkaktuar në mësimnxënie pandemia.
“Nuk kemi ndonjë rast nga shkollat lidhur me atë që na keni thirr për të biseduar. Problemin që po e diskutojmë është mirë e definuar me Kushtetutë dhe nenet e saj”, ka thënë Nagavci.
Nagavci tha se për Ministrinë e Arsimit, më e rëndësishmja është që të krijojë mjedise të sigurta për të gjithë fëmijët.
“Për ne është e rëndësishme që secili fëmijë të vijoj mësimin në rregull. Për ne është e rëndësishme të krijojmë mjedise të sigurta ku të gjithë fëmijët të ndihen të barabartë. Në këtë mënyrë rekomandohet edhe bartja e uniformës”, ka thënë ajo.
Ndërsa, Kryetarja e Komisionit, Dude Balje ka thënë se problemi është shumë i qartë ngase mungon ligji për ndalesën ose lejimin e një vajzë me mbulesë në shkollë, duke shtuar se akoma vendoset siç duan në shkolla.
Balje ka kërkuar që këtyre vajzave t’u mundësohet të ndjekin mësimin dhe kjo sipas saj, duhet të specifikohet me udhëzim administrativ.
“Duhet të bisedojmë se a është shamia pjesë e uniformës shkollore. Ne duam që ta specifikojmë më ligj që asnjë vajzë mos me pas problem”, ka thënë ajo.
Kurse, deputetja nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ka thënë se personalisht ka pranuar ankesa nga disa vajza që nuk janë lejuar të ndjekin mësim.