Temperaturat e larta kanë mbizotëruar këto ditë në Kosovë por edhe në tërë rajonin, shkruan Gazeta Enigma.
Si pasojë e rritjes së temperatura, është shkaktuar një fluks i madh i qytetarëve të cilët kanë kërkuar shërbime mjekësore.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Gazetën “Enigma”, Selami Xhemajli i cili është Drejtor shëndetësise në komunën e Gjilanit.
“Realisht, ka rritje të numrit të pacientëve që kërkojnë shërbime shëndetësore si pasojë e temperaturave dhe nga ardhja e mërgimtarëve tanë. Në krahasim me shërbimet e rregullta në baza ditore, tani është rritur për 30 për qind numri i pacientëve”, tha Xhemajli.
Tutje, Xhemajli theksoi se pacientët të cilët kërkojnë ndihmë mjekësore si shkak i temperaturave të larta, i takojnë çfarëdo grup moshe.
Ndërsa, Afërdita Shllaku, Drejtoresh e Shëndetësisë në komunën e Gjakovës, ka thënë për Gazetën “Enigma” se si pasojë e rritjes së temperaturave është shfaqur një grip sezonal, i cili shoqërohet me trubullim dhe barkqitje.
Shllaku tha se pacientët të cilët kanë simptoma të këtij virusi, duhet tu shmangen kontaktit me persona të tjertë, sepse sipas saj është bartës.
“U bëjmë apel të gjithë qytetarëve që t’i shmangen kontaktit me persona të cilët janë të prekur nga ky virus sezonal, i cili shoqërohet me simptomat si; trubullim dhe barkqitje, e që këto janë shumë të shpeshta. Do të thotë që ky virus është bartës”, theksoi Shllaku.
Gjithashtu, ajo theksoi se po edhe në këtë komunë ka rritje të fluksit të madh të qytetarëve të cilët kanë kërkuar shërbime shëndetësore, duke theksuar se ardhja e pacientëve me këso simptoma janë të çdo moshe.
Si të mbrohemi nga temperaturat e larta për të mos u prekur nga virusi sezonal
“Në këto temperatura ne iu bëjmë apel qytetarëve që t’u shmangen ekspozimit të diellit, kryesisht nga ora 10:00 e mëngjesit deri në ora 17:00 e mbrëmjes, të qëndrojnë në ambiente të ajrosura, po ashtu të konsumojnë sa më tepër ujë dhe lëngje, të marrin edhe ushqime të cilat janë lehtë të tretshme në organizëm”.
Kështu tha Drejtoresha e Shëndetësisë, e cila theksoi se edhe vaksinimi për t’u mbrojtur nga COVID-19 dhe nga variantet e reja është i domosdoshëm, sepse sipas saj vetëm kështu mund t’a parandalojmë ndonjë përhapje të varianteve të reja.
Ndryshe, sot dhe ditët në vijim mbi vendin tonë pritet të mbajë mot shumë i nxehtë.
/Gazeta Enigma/.