Vitia: Presim rënie të rasteve e rritje të kërkesës për hospitalizim

Vitia: Presim rënie të rasteve e rritje të kërkesës për hospitalizim

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se varianti Delta i virusit është variant tepër i rrezikshëm dhe shpërndahet më shpejtë se gripi sezonal.

Ai ka thënë se qysh nga momenti kur kanë marrë statistikat se ky variant po dominon në Kosovë, kanë marrë masa.

Sipas tij, ky virus brenda pak ditësh ka eksploduar në Kosovë, dhe për dallim nga varianti i parë, ka karakteristikë kërcyese, duke shtuar se në vendet që nuk ka imunitet shpërndahet shumë shpejtë.

“Nga 22 deri më datë 28 janë bërë 81 mijë testime me nivel mesatar të infektimeve 16.6 për qind. Numri i të hospitalizuarve mesatarisht është 1,091. Kjo tregon se pacientët që kanë qenë të hospitalizuar janë infektuar 10 deri në 14 ditë më herët, ndërkaq me kohën presim që kjo mesatare të rritet. Numri i hospitalizimeve do të rritet në ditët në vazhdim, përkundër që presim rënie të numrit të rasteve”, ka thënë Vitia në konferencën për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare pasi vetëm në 24 orët e fundit janë shënuar 36 raste të vdekjes si pasojë e COVID-19.

Vitia: Me AstraZeneca jemi të furnizuar mirë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se sa i përket vaksinës AstraZeneca janë të furnizuar mirë. Ndërkaq me Pfizer ai ka thënë se çdo javë kanë një numër të caktuar që vijnë në Kosovë.

Vitia ka shtuar se me rritjen e numrit të të vaksinuarve, më shumë ka doza të administruara se sa ato që vijnë.

Ai ka thënë se vaksina AstraZeneca është po aq efektive sa edhe tjerat, ndërkohë që u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen.

“Ne po presim donacion prej 500 mijë vaksinave nga SHBA, një pjesë ka ardhur para disa ditëve ndërkaq pjesa tjetër do të vijë në ditët në vazhdim. Mjekët e infermierët janë të stërngarkuar, prandaj kemi kërkuar punësimin e mbi 1000 punëtorëve shëndetësorë”, ka thënë Vitia.

Related Articles