Vizitën e përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak dhe të Sekretarit të Shtetit amerikan, Matthew Palmer, po cilësohet si përshpejtim i procesit të dialogut, raporton Ekonomia Online.
Në një intervistë për Ekonomia Online, analisti Blerim Burjani, tha se kjo vizitë po bëhet në kohën kur Qeveria e Kosovës po ngurron të vazhdoj me procesin e dialogut.
“Vizita bëhet në situatën kur Kosova po heziton ose ka vështirësi në komunikim me faktorin ndërkombëtarë për shkak se ekziston një zvarritje dialogut dhe më shumë po zvarritet nga Prishtina, nga Kosova sesa nga Serbia, përderisa Serbia ka shprehur një gatishmëri të tillë që të rifilloj dialogu dhe në anën tjetër kemi shumë çështje të motivuara që kryeministri i Kosovës kërkon përgatitje më të mëdha të një agjende ndoshta nuk i din opinioni publik por tentativa është me shkua ngadalë. Faktori ndërkombëtar BE dhe ShBA janë bërë bashkë që të rifillojnë këto negociata Serbi-Kosovë duke i obliguar që të merren më seriozisht me temën e dialogut”, tha Burjani.
“BE-ja ka një interes sa më shpejtë të përfundojë ky proces dhe nuk do të heq dorë nga prioriteti i saj që ajo udhëheq dialogun dhe jo ShBA-ja”.
Burjani tha se Serbia nuk është e gatshme që të përfundoj ky proces, derisa ka shtuar se Kosova ka prioritet ruajtjen e sovranitetit shtetëror.
“Kjo është ajo për çka do të vinë, ideja është se sa më parë që ky dialog të përmbyllet, përderisa Kosova po thotë që nuk është nevoja të nxitohet në këtë temë kjo është gabim këtu duhet një herë e përgjithmonë me përfundua këtë çështje sepse nuk ka kohë për të humbur Kosova”.
“Nuk ka zgjidhje pa një involvim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe pa pasur një dokument nuk besoj që do të ketë dakordim ndërmjet dy palëve”, tha ai.