Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër Sh.H, i cili gjendet nën masën e paraburgimit nga data 23 qershor, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprat penale “vjedhje e rëndë” dhe “vjedhje e rëndë e mbetur në tentativë”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Sh.H., nga fshati Greme e Komunës së Ferizajt në bashkëkryerje me V.G., shtetas i Bullgarisë, me qëllim përfitimi pasuror të kundërligjshëm, me 12 janar të këtij viti rreth orës 03:40 të mëngjesit, vijnë në Prizren, ku e ndalojnë makinën në një parking afër vendit të ngjarjes dhe, duke përfituar nga mungesa e njerëzve, të maskuar dhe të pajisur me mjete të përshtatshme, sigurojnë një palë shkallë, çaktivizojnë sistemin e alarmit dhe hyjnë me forcë në argjendarinë “G” të qytetit.
Të njëjtit, arrijnë të marrin rreth 3 kg ari 14 karatësh, 1 pesë-lirësh, 2 lira, disa hallka dore, 1 kg argjend dhe një peshore. Vlera e përgjithshme e dëmit të shkaktuar pronarit A.B., është rreth 195,000 euro. Më pas të pandehurit kthehen në parking dhe qëndrojnë aty deri në orën 06:00 të mëngjesit, më pas largohen drejt fshatit Greme në Ferizaj, në shtëpinë e Sh.H. Me këto veprime, të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vjedhja e rëndë”.
Sipas njoftimit, po atë natë, të njëjtit në argjendarinë “S.G.”në Prizren, në bashkëkryerje dhe me qëllim përfitimi të kundërligjshëm, dhe me përdorim të forcës fizike dhe me mjete të depërtojnë brenda lokalit të të dëmtuarit M.S. Pasi hyjnë brenda, tentojnë të hapin kasafortën me forcë, por nuk arrijnë, dhe më pas largohen nga vendi i ngjarjes. Me këto veprime, Sh.H., në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vjedhja e rëndë e mbetur në tentativë”.
Ndërsa, më 23 janar të këtij viti, në rrugën “Mbreti Pirro” në Prizren, i pandehuri Sh.H., me qëllim përfitimi pasuror të kundërligjshëm, depërton me forcë në objektin e të dëmtuarit S.A., duke thyer xhamin e pjesës së mbyllur të objektit, dhe nga aty merr një modem interneti dhe një DVR, si dhe dëmton kabllot e sistemit të kamerave. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Vjedhja e rëndë”.
Prokurori i shtetit, me ngritjen e aktakuzës ka propozuar që të bëhet konfiskimi i mjeteve dhe sendeve të cilat kanë mundësuar kryerjen e veprës penale dhe të cilat janë dobi pasurore e fituar me vepër penale, ndër të tjera:
- 1 apartament në sipërfaqe prej 117 m2 në Ferizaj;
- Automjeti i markës Renault/RFB i markës “Megane”, ngjyrë e kaltër;
- Automjeti i markës “BMW/1K4”, ngjyrë e zezë;
- Automjeti i markës “BMW/Z3”, ngjyrë e zezë;
- Automjeti i markës “STELS/650-ST Traktor”;
- 1 automjet të markës “Peugeot 308”.
Në njoftim tutje bëhet e ditur se prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtorë dhe të dënohet sipas ligjit.