I akuzuari L.I., është dënuar me dy vite burgim dhe 200 euro gjobë pasi akuzohet se në tetor të 2013-tës bashkë me të miturit E.M., R.I., dhe A.L, me forcë kanë hyrë në shtëpinë e të dëmtuarit G.Z.. dhe aty kanë marrë një pako cigare “Marlboro” dhe 30 centë.
Ndërsa, i mituri E. dhe i pandehuri L. kishin qëndruar para derës së shtëpisë, duke bërë roje dhe kontroll.
Mirëpo, ky vendim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në periudhën kohore prej tre vjetëve nuk kryen vepra të tjera penale raporton “Betimi për Drejtësi”.
Një vendim të tillë e ka marrë gjykatësja e Gjykatës Themelore në Gjilan, Luljetë Shabani, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor më 6 korrik të këtij viti, ndërsa përpilimi i këtij aktgjykimi është bërë më 9 korrik 2021.
Sipas aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, i dëmtuari G.Z. për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest civil.
Prokuroria Themelore në Gjilan, në shkurt të vitit 2014, ka ngritur aktakuzë ndaj L.I., me arsyetimin se ai në tetor të vitit 2013, në lagjen “Arbëria” në Gjilan, me qëllim që vetit t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm pasuror, me të miturit E.M, R.I. dhe A. L., kanë kryer veprën penale të vjedhjes së rëndë në shtëpinë e të dëmtuarit G.Z.
Sipas prokurorisë, ata me përdorimin e forcës, me një kaçavidë, kanë thyer dy dyertë e hyrjes së shtëpisë së të dëmtuarit dhe i kanë shkaktuar dëm material në vlerën prej 500 euro, dhe pasi që kanë hyrë brenda kanë demoluar sendet dhe kanë marrë një pako cigare “Marlboro” dhe 30 centë, dhe pastaj janë larguar nga shtëpia për t’u takuar me të miturin E. dhe të pandehurin L. të cilët kishin qëndruar para derës së shtëpisë, duke bërë roje dhe kontroll.
Me këtë, L.I. akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vjedhja e rëndë”, nga neni 327 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre deri në shtatë vjet.
/Gazeta Enigma/