Von Cramon për Gazetën Enigma: Franca pengesë për liberalizimin e vizave, Qeveria e Kosovës duhet të ankohet

Von Cramon për Gazetën Enigma: Franca pengesë për liberalizimin e vizave, Qeveria e Kosovës duhet të ankohet

“Qeveria e Kosovës duhet të përpiqet të përdorë fuqinë e saj diplomatike për t’u provuar shteteve të tjera anëtare se ata nuk duhet të shqetësohen për dhënien e udhëtimit pa viza për qytetarët e Kosovës”.

Kështu tha për Gazetën Enigma, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, duke theksuar se shumica dërrmuese e Parlamentit Evropian e mbështet liberalizimin e vizave.

“Unë jam përpjekur të bind kolegët e mi nga ato shtete anëtare që të na ndihmojnë të shpjegojmë qeveritë pse është e rëndësishme. Megjithatë, për fat të keq kjo nuk është e mjaftueshme”, tha Von Cramon për Gazetën Enigma.

E pyetur se kur do të jepet drita e gjelbër për liberalizimin e vizave, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian tha se fatëkeqësisht ende nuk ka një vendim përfundimtar dhe se gjithçka varet nga Këshilli, duke shpresuar se mund të ketë ndonjë ndryshim pas Samitit të ardhshëm në kuadrin e Procesit të Berlinit, në Gusht 2021.

“Ky do të jetë i fundit i Kancelares Merkel, ngjarje e madhe ndërkombëtare ku nga këndvështrimi im ajo duhet të investojë peshën e saj politike në këtë për të arritur dritën jeshile për liberalizimin e vizave të Kosovës”, ka shtuar Von Cramon.

Ndër të tjera, Viola Von Cramon theksoi se ka disa shtete anëtare, të cilat hezitojnë në këtë drejtim, veçanërisht Franca, por sipas saj kjo nuk është vetëm një rrugë me një drejtim, ku Këshilli Evropain vendos diçka dhe Qeveria e Kosovës do të ankohet për këtë, nëse nuk u pëlqen rezultati.

Ndryshe, edhe Qeveria e Kosovës të martën ka publikuar planin Qeverisës për katër vitet e ardhshme, ku edhe në të thuhet se nuk ka ndonjë datë të caktuar për liberalizim të vizave.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të bëjë gabimet e së kaluarës duke dhënë data të gabuara. Me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë do të punojmë me qeveritë e shteteve që ende janë skeptike që të arrijmë liberalizimin e vizave për qytetarët tanë sa më parë që të jetë e mundur”, thuhet në programin qeverisës.

Në anën tjetër, aty thuhet se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave.

“Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara për liberalizimin e vizave. Shumica dërrmuese e shteteve anëtare të BE-së, Komisioni i BE-së dhe Parlamenti Evropian e mbështesin dëshirën e qytetarëve të Kosovës për të mos mbetur vendi i vetëm i izoluar në Ballkan. Janë disa nga qeveritë e shteteve anëtare të BE-së, të cilat ende hezitojnë”, potencohet tutje në program.

/Gazeta Enigma/.

Related Articles