Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dhënë tri mesazhe pas vizitës së saj në Kosovë, ku u takua me Presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.
Von der Leyen ka thënë se Kosova duhet të vazhdojë ndërtimin e institucioneve, të ulë tensionet në vend dhe të përfundojë hapat e nevojshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes.
“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj një të ardhmeje ku të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Bashkimit tonë. Për këtë, është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë ndërtimin e institucioneve të forta. Të ulë tensionet në vend. Gjithashtu, Kosova duhet të përfundojë hapat e nevojshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes”, ka shkruar von der Leyen në llogarinë e saj në platformën “X”, ku ka bashkangjitur edhe foto nga takimi me Osmanin dhe Kurtin.
Presidentja Vjosa Osmani, pas takimit me të, tha se mbështetja e KE’së është thelbësore për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
Ajo ka përsëritur edhe kërkesën për heqje të masave ndëshkuese të BE’së ndaj Kosovës, të cilat i ka cilësuar si të padrejta.