Kandidati për kryetar komune në veri të Mitrovicës, Aleksandar Arsenijoviq, të hënën ka publikuar një video në të cilën shihet një qytetar i cili goditet nga mbrapa nga një veturë në lëvizje, incizimin e së cilës e ka bërë shoferi i veturës.
Arsenijoviq përmes postimit të tij në rrjetin social në Facebook ka shkruar se ngjarja ka ndodhur në Komunën e Leposaviqit.
Ai po ashtu tregoi shqetësimin e këtij veprimi dhe thotë se kjo është bërë në mungesë të policisë në këtë pjesë të Kosovës.
“Jam i shqetësuar me skenën në Komunën e Leposaviqit, ku një njeri (nëse mund të quhet i tillë) në mungesë të policisë e shkel një njeri në rrugë duke i plotësuar egot e tij personale. Shpresoj që herë dokurdo të mbajnë përgjegjësi për këtë mizori përfundimisht”, ka shkruar ai.
Telegrafi gjithashtu ka kontaktuar me zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Besim Hoti, i cili tha se policia është njoftuar përmes rrjeteve sociale.
Hoti tha se për këtë është njoftuar edhe Prokuroria Themelore në veri të Mitrovicës. Sipas tij, duhet të vërtetohet autenticiteti i videos, pasi siç theksoi Hoti nuk dihet lokacioni i saktë e as koha dhe nuk ka ndonjë ankues lidhur me lëndime të mundshme në këtë video.
“Njoftimi është marrë nga rrjetet sociale. Është njoftuar prokurori. Duhet të vërtetohet autenticiteti i videos. Përndryshe nuk dihet lokacioni i saktë e as koha, ndërsa asnjë ankues nuk është lajmëruar lidhur me lëndime të mundshme në këtë video”, ka thënë Hoti.