Vozitësit e trotinetëve elektrikë po rrezikojnë vetën dhe këmbësorët

Vozitësit e trotinetëve elektrikë po rrezikojnë vetën dhe këmbësorët

Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë ka nisur që të ndjehet edhe në vendin tonë me të madhe, pas veturave elektrike që janë në përdorim, tani me të madhe ka nisur të përdoren trotinetët dhe biçikletat elektrike.

Ky përdorim i madh i trotinetëve elektrikë në Kosovë sa shihet pozitiv, po shfaq shqetësim te prindërit dhe njohësit e komunikacionit.

Njohësi i sigurisë së komunikacionit, Nol Dedaj thotë se trotinetët elektrikë po përbëjnë rrezik në rend të parë për përdoruesit, pastaj edhe këmbësorve.

‘’Trotinetet eklektik e bëjnë rrezikimin e vetvetes prej mjeteve tjera më të rënda, sikurse janë automjetet, pastaj çiklomotorrat, motorët e mjete të tjera’’, vlerëson Nol Dedaj.

Në javët e fundit janë raportuar disa aksidente që kanë ndodhur me trotinetë elektrikë, fatmirësisht duke përfunduar vetëm me lëndime trupore.

Ajshe Halimi, nëna e një 14-vjeçari të aksidentuar një javë me parë me trotinetë elektrikë ka treguar në një bisedë për Gazetën Enigma sesi ka ardhur deri te aksidenti.

‘’Djali ka qenë duke u shëtitur, nuk e di saktë si ka ndodhur ngjarja. Nuk dua ta bëj fajtor askënd, kjo pjesë nuk më takon mua, organet e drejtësisë japin fjalën e fundit’’, rrëfen ajo për Gazetën Enigma.

Ajo ka një lutje për të rinjtë që vozisin trotinetë elektrikë.

‘’Si nënë bëj thirrje për të gjithë të rinjtë të kenë kujdes në komunikacion, sepse një pakujdesi e vogël mund të na kushtoj me jetë’’, ka përfunduar Halimi.

Eksperti i sigurisë së komunikacionit, Nol Dedaj thotë se trotinetët po paraqesin rrezik për kombësoret dhe biçlistët përveç se po e rrezikojnë vetën e tyre.

‘’Derisa prej trotineteve elektrik rrezikohen më së shumti këmbësorët, biçiklistët dhe pastaj edhe trotinetet që futen me fuqinë e njeriut në lëvizje’’, thotë i shqetësuar Dedaj.

Sipas tij është e nevojshme që të bëhet edhe infrastruktura e nevojshme për këtë kategori të komunikacionit që të ulet bilanci i rrezikshmërisë në trafik.

‘’Pikërisht duke pasur parasysh këtë bilanc të rrezikshmërisë në komunikacion, atëherë është shumë e nevojshme që t’i bëhet edhe infrastruktura e nevojshme, të plotësohet infrastruktura e ligjore në ligjin e sigurisë, në mënyrë që të definohen edhe kahet e lëvizjes’’, vlerëson ai.

Dedaj  ka treguar se në cilat pjesë të rrugës mund të përdoren trotinetet elektrike.

“Vendet ose shiritat e qarkullimit ku duhet të lëvizin ose hapësira rrugore ku duhet të qarkullojnë këto mjete me energji elektrike, për shkak se e zhvillojnë edhe një shpejtësi të madhe, pra diku deri ne 25km/h, nëse është më pak ose më shumë, kjo e definuar edhe prej prodhuesit’’, ka treguar ai.

A lejohet pjesëmarrja e trotineteve elektrik në rrugët kryesore ku qarkullojnë mjetet më të rënda?

‘’Rrugën kryesore mund ta shfrytëzojnë si mjetet tjera me një gjurmë, sikurse biciklistat, që do të thotë në shiritin e qarkullimit të kombinuar, sikurse janë me automjete bashkërisht’’, tha Dedaj.

‘’Gjithashtu munden me shfrytëzua edhe shiritin i cili është i identifikuar për biçikleta, por vetëm me sinjalizim, do të thotë me vij sinjalizim horizontal’’, vlerëson ai.

Dedaj ka theksuar se shfrytëzimi i trotuareve duhet të jetë rreptësishtë të ndaluara

‘’Derisa shtigjet e biçikletave unë nuk i preferoj që ata t’i shfrytëzojnë dhe trotuaret duhet të jenë rreptësishtë të ndaluara’’, ka përfunduar ai.

Në një përgjigje për Gazetën Enigma, nga Policia e Kosovës kanë njoftuar se në shtatë mujorin e parë e këtij viti 30 aksidente me trotinete janë të lajmëruara në polici.

‘’Ju njoftojmë se për periudhën kohore janar-korrik 2022 numri i aksidenteve të trafikut me trotinete elektrik të lajmëruara në polici është tridhjetë (30) aksidente në të gjitha rajonet e Kosovës’’, thuhet në përgjigjen e tyre./GAZETA ENIGMA/

Related Articles