H.G., 66-vjeçar nga fshati Sopniq i Rahovecit dyshohet se është vrarë mbrëmë nga vëllai i tij J.G., 58-vjeç, pas një zënke mes tyre. Sipas burimeve të Gazetës Express, incidenti me pasoja fatale dyshohet se lidhet me shitjen e disa bagëtive.
66-vjeçari fillimisht është plagosur, mirëpo për shkak të plagëve të rënda me armë zjarri i njëjti ka ndërruar jetë.
“Incidenti dyshohet se ka ardhë pas nje zënke lidhur me shitjen e disa bagëtive”, tha ky burim i besueshëm i Expressit.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari (vëllai i viktimës), pas arrestimit është ndaluar për 48 orë, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.
Ndryshe, lajmin për vrasje e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj.
“Rreth orës 21:00 në fshatin Sopniq të Rahovecit ka ndodhur një plagosje me pasoja vdekjeprurëse. Viktima në gjendje të rëndë është dërguar në spitalin rajonal në Gjakovë dhe përkundër përpjekjeve mjekësore i njëjti ka ndërruar jetë. Dyshohet se palët janë familjarë në mes vete. Njësitet policore i janë përgjigjur vendit të ngjarjes. I dyshuari është arrestuar”, ka thënë ai. /Gazeta Enigma/