Vrasja e çiftit në Lezhë, zbulohet vetura e dytë e përdorur në krim

Vrasja e çiftit në Lezhë, zbulohet vetura e dytë e përdorur në krim

Policia e Lezhës po vijon hetimet intensive për zbardhjen e plotë të vrasjes së çiftit Mujeci në fshatin Balldren, ngjarje e ndodhur më 26 prill 2026. Grupi hetimor ka shtrirë kontrollet edhe në zona të tjera me qëllim sigurimin e provave të reja që mund të ndihmojnë në dokumentimin ligjor të autorësisë.

Në një njoftim zyrtar, policia bën me dije se gjatë kontrolleve të kryera mbrëmjen e së martës në fshatin Torovicë, në një rrugë dytësore dhe pranë një kanali në tokë arë, është gjetur një automjet tip “Audi A4”, i cili dyshohet se është përdorur në dinamikën e ngjarjes nga persona të përfshirë si bashkëautorë dhe vëzhgues të lëvizjeve të viktimave.

Sipas të dhënave paraprake, brenda automjetit janë gjetur edhe dokumente që dyshohet se u përkasin personave të shpallur në kërkim. Mjeti është sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe do t’i nënshtrohet ekspertizave kriminalistike për të përcaktuar rolin e tij në ngjarje.

Kujtojmë se një ditë më parë policia kishte gjetur në zonën e Torovicës edhe një automjet tip “Golf 5”, pa targa, që dyshohet se është përdorur nga qitësit gjatë krimit.

Ndërkohë, forcat e rendit vijojnë kontrollet në terren për lokalizimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar, ndërsa materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.

Policia ka shpallur në kërkim Renato dhe Florin Mhillajt, të dyshuar si autorë të vrasjes së çiftit Kreshnik dhe Gentjana Mujeci. Së bashku me ta, i dyshuar i tretë është edhe Adriano Mhillaj, ndërsa të tre janë shpallur në kërkim.

Dyshohet se vrasja ka ndodhur për motive hakmarrjeje, pasi Renato Mhillaj është djali i Genc Mhillajt, ndërsa Adriano dhe Florin janë nipat e tij. Genc Mhillaj është vrarë në vitin 2016, ndërsa si autor ishte akuzuar Kreshnik Mujeci, së bashku me kushëririn e tij Jozef Mujeci. Në vitin 2018, Gjykata e Shkodrës e shpalli të pafajshëm Mujecin lidhur me këtë rast, me argumentin se “nuk provohej ta kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej”.

Related Articles