Autori i dyshuar i krimit të dyfishtë në Golluboc të Malishevës, Astrit Isufi, kishte shpëtuar pa ndëshkim të rëndë për kërcënimin me jetë të dy miqve të tij, familjarëve të bashkëshortes së tij, në shtatorin e këtij viti.
Isufi, i arrestuar sot për vrasjen e dy vëllezërve të bashkëshortes së tij – Driton (32-vjeç) dhe Naim Morinës (45-vjeç) – ishte dënuar me 200 euro gjobë për kanosje, sipas një aktgjykimi të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Dhëndri 42-vjeçar nga Sankoci i Drenasit ishte shpallur fajtor për kërcënimin me jetë të dy miqve të tij I.B dhe M.M, raporton Paparaci.
Ngjarja kishte ndodhur më 5 prill të këtij viti, vetëm gjashtë ditë pasi i dyshuari ishte denoncuar për rrahjen e bashkëshortes së tij, motrës së të dëmtuarve. 11 ditë më vonë, për rastin e dhunës në familje, Astrit Isufi do të dënohej me 154 ditë burgim e 800 euro gjobë nga një gjykatë e shkallës së parë.
Zanafilla e mosmarrëveshjeve mes dy familjeve, dyshohet të ketë qenë dhuna që i dyshuari ka ushtruar ndaj bashkëshortes së tij.
Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Paulin Pashku, vrasësi i dyshuar Astrit Isufi dhe vëllai i tij Petrit Isufi i kishin kanosur seriozisht me dashje dy anëtarë të familjes së miqve pas një konflikti verbal.
Në shkresat e lëndës janë të redaktuara shënimet për vendin e ngjarjes së konfliktit.
“I akuzuari Astrit Isufi iu ishte drejtuar me fjalë të dëmtuarve ‘dilum nga lokali se ju vras dhe kini afat deri të shkoni në shtëpi, sepse si te shkoni ne shtëpi unë do t’iu vrasë’, kurse i akuzuari Petrit Isufi iu ishte drejtuar me fjalët ‘dilni jashtë se ju vras’”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Astrit Isufi dhe vëllai i tij e kishin pranuar fajësinë për kanosje që në seancën fillestare të rastit në Gjykatë, sipas dosjes së Gjykatës.
Prokurori Pashku i kishte propozuar Gjykatës që pranimi i fajësisë nga dy të pandehurit të merrej si rrethanë lehtësuese, të cilën Gjykata e kishte marrë parasysh.
Kësisoj, vëllezërit Isufi i kishin shpëtuar një dënimi maksimal deri në një vit burgim për veprën penale të kanosjes. Ishin dënuar me 200 euro gjobë, tregojnë shkresat e lëndës.
“Të akuzuarve Astrit Isufi dhe Petrit Isufi, secilit veç e veç, në shumë prej 200 (dyqind) €, të cilin do të e paguajnë në afat prej 15 ditë, nga dita e plotëfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të shpallur më 19 shtator të këtij viti.

Pa u mbushur dy muaj nga dënimi me gjobë për kanosjen e miqve, Astrit Isufi, 42-vjeçar, është përfshirë sërish në konflikt me familjarët e bashkëshortes së tij, familjen Morina nga Golluboci i Malishevës.
Konflikti, i ndodhur të enjten më 6 nëntor, ka përshkallëzuar me përdorim të armës së zjarrit në të cilin mbetën të vrarë dy miqtë e tij, Driton dhe Naim Morina.
Isufi u arrestua sot nga Policia e Kosovës në fshatin Polloqicë të Drenasit, disa kilometra larg vendit të krimit.
I dyshuari, pronar i një auto-servisi në fshatin Komoran, aktualisht po trajtohet në QKUK pasi dyshohet se ka mbetur i plagosur nga shkëmbimi i zjarrit në konfliktin me dy vëllezërit Morina.
