Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), me 14 prill 2022 ka marrë vendim për aprovimin e marrëveshjes vullnetare me të cilën marrëveshje është bërë pranimi i përgjegjësisë disiplinore nga prokurorja e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë Stojanka Kasaloviq.
Me aprovimin e kësaj marrëveshje KPK, prokurores Kasalovic i ka shqiptuar masën disiplinore “Vërejtje publike me shkrim”.
Në vendimin e publikuar nga KPK thuhet se deri tek kjo masë e shqiptuar Këshilli erdhi pasi prokurorja Kasalovic, ka bërë lëshimin e veprimeve procedurale për rastin e dhunës në familje, i cili rast kishte përfunduar me fatalitet pasi viktima L.Q me 5 janar 2022 ishte vrarë nga bashkëshorti i saj S.Q.
Vrasja kishte ndodhur në fshatin Llaushë, komuna e Skenderajit, ku më pas i pandehuri S.Q ishte arrestuar dhe i ishte caktuar masa e paraburgimit për dy vepra penale “Vrasja e rëndë“ nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 të KPRK, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas vendimit të KPK-së me të cilin është aprovuar marrëveshja vullnetare për pranimin e përgjegjësisë disiplinore, është vërtetuar se prokurorja Kasalovic ka vepruar në kundërshtim me Kodin e Etikës dhe Sjelljes Profesionale për Prokurorë si dhe me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.
Konkretisht, sipas këtij vendimi prokurorja Kasalovic është gjetur përgjegjëse për “shkelje të detyrave të prokurorit”, nga neni 6 par 2, pikat 2.1 dhe 2.5 të Ligjit për përgjegjësi disiplinore.
Në pikën 2.1 të Ligjit të lartcekur thuhet se shkelje e detyrave të prokurorit, sipas këtij ligji, përfshin veprimet e mëposhtme, në qoftë se prokurori i kryen me dashje ose nga pakujdesia e rëndë: “në mënyrë të vazhdueshme nuk ndërmerr ndonjë veprim prokurorial që kërkohet me ligjin në fuqi ose nuk ushtron funksionet prokuroriale brenda afateve kohore të parapara me ligj, përveç nëse serioziteti i mos veprimit apo niveli i shkeljes paraqet bazë për inicimin e procedurës disiplinore për një shkelje të vetme”.
Ndërsa, në pikën 2.5 të po këtij Ligji thuhet se prokurori përfshihet në shkelje të detyrave edhe kur: “nuk merr parasysh të drejtat e dëshmitarëve ose palëve të dëmtuara, veçanërisht për të marrë masa për të mbrojtur jetën, sigurinë dhe privatësinë e tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi”.
Tutje, në arsyetimin e vendimit për shqiptimin e masës disiplinore ndaj prokurores Kasalovic, thuhet se Paneli Hetimor kishte gjetur se prokurorja ka qene kujdestare ne momentin kur ishte raportuar zënka në familjen e viktimës, me c ‘rast siç thuhet në këtë vendim meqenëse në këtë rast nuk kishte pasur recidivizëm dhe djali viktimës kishte garantuar për sigurinë e nënës, prokurorja Kasalovic nuk kishte marrë aktvendim për ndalim.
“Paneli Hetimor gjeti se prokurorja Stojanka Kasalovic ka qenë kujdestare në Prokuorinë Themelore në Mitrovicë, me datë 01.01.2022, kur është thirrur nga zyrtari policor i stacionit policor …. i cili e kishte raportuar një zënkë në një familje, ku djali i cili ishte i rritur e kishte raportuar babain sepse ai e kishte larguar nënën nga shtëpia për shkaqe xhelozie. Me qenë se nuk kishte pasur dhunë fizike, s’kishte pasur recidivizëm dhe djali i viktimës kishte garantuar për sigurinë e nënës, prokurorja Kasalovic nuk kishte marrë aktvendim për ndalim, kishte udhëzuar që rasti të hapet për dhunë në familje, por në procedurë të rregullt dhe të informohet mbrojtësi i viktimave, por që më nuk është interesuar për rrjedhën e rastit”, thuhet në arsyetimin e këtij vendimi.
Tutje, në këtë vendim thuhet se prokuroja Kasalovic ka pranuar se ka pasur neglizhencë nga ana e saj, sepse sipas saj do të duhej të kishte komunikuar me shumë me policinë për rastin e lartcekur.
Në mungesë, të këtyre veprimeve thuhet se prokurorja Kasalovic është përfshirë në sjellje të cilat e kanë dëmtuar reputacionin e prokurorit të shtetit dhe kanë dëmtuar besimin e publikut në profesionalizmin, paanshmërinë dhe besueshmërinë në Prokurorinë e Shtetit, ku nga neglizhenca siç thuhet në vendim nuk ka ushtruar funksionet e saj prokuroriale, kur nuk i ka ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen e viktimës.
Konkretisht, ne vendim thuhet se prokurorja nuk është interesuar nëse viktimës iu ka siguruar urdhër mbrojtës.
Në fund të këtij vendimi, thuhet se marrëveshja vullnetare e aprovuar nga Këshilli, i përmbush të gjitha kushtet ligjore dhe sanksioni i propozuar nga ana e tyre është i drejtë dhe në proporcion me shkeljen disiplinore.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë për rastin e vrasjes në Llaushë të Skenderajt, ende nuk ka ngritur asnjë aktakuzë./BPD/