Qyteti i Vushtrrisë është tronditur në 24 orët e fundit si pasojë e tri vdekjeve që ndodhën në këtë qytet, shkruan Gazeta Enigma.
Teksa një 19 vjeçar vrau bashkëmoshatarin e tij në këtë komunë, një rast tjetër tragjik ndodhë një ditë pas.
Një 58-vjeçar dyshohet se ka vrarë një 42-vjeçare, e më pas ka qëlluar edhe veten.
Ngjarja e cila ndodhi në fshatin Stanoc dyshohet të jetë kryer në një nënkalim.
Rastin e kanë konfirmuar nga Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë, Avni Zahiti, ka deklaruar se dorasi është një 58-vjeçar me inicialet A.M, ndërsa gruaja që është vrarë një 42-vjeçare me inicialet N.H.
“Sot, rreth orës 14:56, policia ka pranuar informatën për një vrasje të ndodhur në fshatin Stanovc të Vushtrrisë. Bazuar në hetimet fillestare nga vendi i ngjarjes dyshohet se kryesi i veprës, dorasi 58-vjeçar me iniciale A.M., ka qëlluar për vdekje viktimën femër, 42-vjeçare me iniciale N.H., e më pas i dyshuari ka qëlluar edhe veten”, ka deklaruar Zahiti.
Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë.
“Me urdhër të Prokurorit, dy trupat e pajetë dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Hetuesit policorë nën udhëheqjen e prokurorit po vazhdojnë hetimet për veprat penale ” Vrasje e rëndë ‘ dhe ” Vetëvrasje””, ka thënë Zahiti.
Ndërkohë nga Prokuroria kanë thënë se po intervistojnë dëshmitarë lidhur me rastin dhe se po hetojnë të gjitha rrethanat që kanë çuar tek kjo ngjarje tragjike.
“Si pasojë e te shtënave dy persona kanë mbetur të vdekur në fshatin Stanoc të Vushtrrisë. Dyshohet se një burrë fillimisht e ka privuar nga jeta një grua, dhe pastaj ka bërë vetëvrasje. Në vendngjarje ka dalur prokurori kujdestar i PTH Mitrovicë. Në vendngjarje janë gjetur disa gëzhoja që dyshohet se janë përdorur në këtë krim. Janë duke u intervistuar dëshmitarë dhe në koordinim me policinë janë duke u hetuar të gjitha rrethanat që kanë quar në këtë ngjarje të rëndë”, kanë deklaruar nga Prokuroria.
Çka thonë familjarët?
Ndonëse në media u publikuan disa versione të ndryshme lidhur me motivet dhe lidhjen që kishte viktima me dorasin, familjari i të ndjerës N.H, Rrahim Ajeti, ka thënë dyshohet se vrasja ka ndodhur për shkak se viktima kishte ndërruar vendin e punës dhe nuk punonte më te i dyshuari.
“Nuk ka pasur ndonjë lidhje familjare. Ka qenë grua shembullore. Viktima dhe bashkëshorti i saj kanë punuar vite më parë te biznesi i të dyshuarit. Nuk janë burrë e grua. Rrethanat se si ka ardhur deri te vrasja nuk i dimë akoma. Por dyshohet se shkaku kryesor të jetë xhelozia se pse ka shkuar në një vend tjetër pune dhe e ka lënë tek unë”, deklaroi Ajeti para gazetarëve.
Ai tha në furrën e njëjtë kishte punuar edhe bashkëshorti i të ndjerës.
“Para një kohe kanë qenë punëtorë të këtyre me gjithë bashkëshortin por rrethanat se si kanë ardhë deri te vrasja nuk i dijmë as ne si familje. Kërkojmë mirëkuptimin e juaj që familjarët të mos shqetësohen. Gruaja ka qenë rreth të 40-ave, probleme nuk ka pasë. Dhashtë Zoti të jetë viktima e fundit. Sipas një informate xhelozia se përse ke shku te një tjetër vend me punue dhe jo te unë.”, ka thënë ai.
Ndërkohë ende nuk janë dhënë detaje të reja, por Gazeta Enigma do të ju mbaj të informuar. / GAZETA ENIGMA.