Prokurorja e Shtetit, Sahide Gashi, ka bërë ditur se për rastin në Gllogjan ku mbeten të vrarë dy nxënës dhe shoferi i autobusit, Prokuroria sot ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Pejë kundër Kastriot e Kreshnik Mehmetaj për veprën penale si bashkëkryes të vrasjes së rëndë.
Gashi bëri të ditur se po ashtu është ngritur aktakuzë edhe ndaj Halil Mehmetajt për veprën penale “shtytje në vrasje të rëndë”.
Ndërsa, sipas saj, për të dyshuarin e katërt nuk ka prova se i njëjti ka qenë i përfshirë në rast.
“Pas përfundimit të hetimeve, analizimit dhe shqyrtimit të provave të siguruara në këtë rast, prokuroria për të pandehurin Malsor Mehmetaj nuk ka arritur të vërtetojë dyshimin se i njëjti ka qenë i përfshirë në ndonjë mënyrë në përgatitjen, ndihmën apo zbatimin e aktit të krimit, andaj prokuroria ka marrë vendim që ndaj të njëjtit t’i pushoj hetimet”, ka bërë të ditur Gashi.