Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se janë suspenduar gjashtë zyrtar policorë në lidhje me rastin e vrasjes të një zyrtari policor mbrëmë në mesnatë në fshatin Zllatar të Prishtinës.
Përmes një njoftimi për media, IPK ka bërë të ditur se në këtë rast ishin të pranishëm 15 policë.
IPK-ja po ashtu ka rekomanduar edhe suspendimin e nëntë policëve të tjerë, shkruan Gazeta Enigma.
“Bazuar në hetimet preliminare fillestare dyshohet se rasti ka ndodhur në një ndejë private ku morën pjesë 15 zyrtarë policorë që të gjithë jashtë detyrës zyrtare”, thuhet në njoftim.
Për rastin e vrasjes së zyrtarit policor, IPK ka arrestuar një polic i cili është dërguar në mbajtje.
“Personi i dyshuar në këtë rast – (zyrtar policor) është arrestuar nga Inspektorati Policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të vrasje kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra”, njofton IPK.
Ndërsa, pesë policët e tjerë po dyshohen për disa vepra penale.
Me dyshimin se kanë kryer veprën penale të “Shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga Inspektorati Policor janë arrestuar edhe 5 zyrtarë tjerë policorë (që ishin prezent në ndejë) kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe të njëjtit janë suspenduar”, vijon njoftimi.
Sipas këtij institucioni, hetimet ende janë duke vazhduar.
“Hetuesit e IPK-së së bashku me njësitin e forenzikës dhe njësinë rajonale të hetimeve janë akoma duke bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes në vendin ku ka ndodhur incidenti në konsultim edhe me prokurorin kujdestar që është prezent aty”, thuhet në njoftim./GazetaEnigma/