Vrasja e rëndë në Pejë, Policia kërkon nga Inspektorati të hetojë nëse ka pasur lëshime nga zyrtarët policorë

Vrasja e rëndë në Pejë, Policia kërkon nga Inspektorati të hetojë nëse ka pasur lëshime nga zyrtarët policorë

Policia e Kosovës ka njoftuar Inspektoratin Policor për ndërmarrjen e veprimeve procedurale për hetim të rastit, i cili qoi deri të vrasja e djeshme në Pejë.

Përmes një komunikate për medie, është bërë e ditur se pas arrestimit të të dyshuarit do të ndërmerren veprimet e mëtejme policore ne konsultim me prokurorinë kompetente.

“Pas arrestimit të të dyshuarit të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në konsultim të plotë me prokurorinë kompetente për kompletimin dhe procedimin e mëtejmë të rastit në organet e drejtësisë. Lidhur me ketë rast Policia e Kosovës ka njoftuar IPK-në për ndërmarrjen e veprimeve procedurale për hetimin e ndonjë lëshimi të mundshëm nga ana e zyrtareve policor”, thuhet në komunikatë.

I dyshuari për vrasjen e djeshme në Pejë, Xhevdet Januzaj është arrestuar nga policia.

“Lidhur me rastin “vrasje e rëndë” të datës 18.05.2021, në rajonin e Pejës, Policia e Kosovës, konkretisht hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime kanë ndërmarr veprimet e nevojshme operacionale dhe hetimore, dhe sot me datë 19.05.2021, rreth orës 20:15 ka rezultuar që i dyshuari për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë” të lokalizohet nga organet e rendit dhe i njëjti ndodhet në ambientet e Policisë”, thanë nga PK-ja për Telegrafin.

Gjithçka në lidhje me këtë vrasje besohet se kishte filluar para dy vitesh.

RTV Dukagjini mëson se para dy vitesh i dyshuari për vrasje kishte ngacmuar seksualisht nxënësen e tij që në atë kohë ishte vetëm 13-vjeçare.

Nxënësja në fjalë është e bija e të vrarit Gëzim Kastrati, i cili disa herë ishte kërcënuar nga i dyshuari.

Mësohet se arsimtari i shkollës “Dardania” në Pejë para një viti e gjysmë ishte suspenduar nga puna.

I dyshuari për vrasje ishte dënuar me tri vite burgim dhe ishte në pritje të vuajtjes së dënimit.

“Ndaj të pandehurit Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë për sulm seksual, për shkak se i njëjti dyshohet se në cilësinë e mësimdhënësit ka sulmuar seksualisht nxënësen e tij, me ç’rast kjo aktakuzë është shqyrtuar dhe ka marrë epilog”, deklaroi zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

Related Articles