Lidhur me vrasjen e djeshme në Drenas, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se është arrestuar i dyshuari dhe po hetohet për dy vepra penale “Vrasje” dhe “Manipulimi me prova”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur në garazhin e shtëpisë së viktimës. Viktima fillimisht ishte dërguar nga familjarët në QKMF në Komoran ku dhe është konstatuar vdekja e tij nga mjeku kujdestar.
Komunikata e plotë:
Arrestohet një person për veprën penale Vrasje dhe Manipulimi me prova
Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se është arrestuar i dyshuari V.P., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasja”, nga neni 172 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), si dhe “Manipulimi me prova”, nga neni 389 i KPRK-së.
Në vendin e ngjarjes ka dalë Prokurori kujdestar së bashku me njësitë relevante të Policisë, të cilat gjatë hetimeve fillestare kanë konstatuar se ngjarja ka ndodhur në garazhin e shtëpisë së viktimës.
Gjatë kontrollit, në vendngjarje janë gjetur dhe siguruar një (1) gëzhojë dhe një (1) fishek, ndërsa arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, një pistoletë e tipit “ZORAKI 917-T”, me numër serik A3YZR16YS01201411, është gjetur dhe sekuestruar në shtëpinë e vëllait të viktimës.
Sipas informacioneve fillestare, viktima e rastit, R.Sh., ishte dërguar nga familjarët në QKMF Komoran, ku mjeku kujdestar kishte konstatuar se i njëjti ishte pa shenja jete.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është kryer bastisja e shtëpisë së viktimës, pasi që dyshohet se arma me të cilën është kryer vepra penale ishte në pronësi të viktimës.
Prokurori i Shtetit, brenda afateve ligjore, do të parashtrojë kërkesë në Gjykatë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit V.P.
Për rasitn, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë nën dyshimin për neglizhencë në ushtrimin e detyrës.
