Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me vrasjen e rëndë në Breg të Diellit.
Më datë 27 maj 2026, rreth orës 08:30, në lagjen ‘’Bregu i Diellit’’, në Prishtinë, ka ndodhur një vrasje e rëndë, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka humbur jetën personi me inicialet A.H.
Menjëherë pas pranimit të informatave nga Policia e Kosovës, në vendin e ngjarjes kanë dalë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Prokurori Kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, si dhe njësitet e tjera relevante, të cilët kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.
Në kuadër të këtyre veprimeve është mundësuar edhe sigurimi dhe analizimi i video-incizimeve nga kamerat e sigurisë, të cilët do të shërbejnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Po ashtu, në vendin e ngjarjes ka dalë edhe njësia K9, me qëllim të gjurmimit të lëvizjeve të personit të dyshuar dhe viktimës.
Ndërkaq, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Insititutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion.
Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, po vazhdon ndërmarrjen e veprimeve intensive hetimore dhe
operative me qëllim të arrestimit të personit të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale.
