Prishtinë- Gjykata Themelore në Prishtinë më 25 gusht 2023, ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra”, i dyshuar për vrasjen e të riut nga Kukësi, V.C., në Prizren.
Lajmi është bërë i ditur për “Betimi për Drejtësi” nga zyra e gjykatëses së procedurës paraprake Violeta Namani, ku konfirmohet se masa e paraburgimit, Hoxhajt iu vazhdua deri më 3 nëntor 2023.
Ndërkaq, lidhur me të dyshuarin Roland Susuri, Gjykata Supreme më 16 gusht 2023, ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes për mbrojtje të ligjshmërisë, duke ia zëvendësuar kështu masën e paraburgimit me atë të lajmërimit në stacion policor.
Kurse, për të dyshuarit Arben Vezaj dhe Jesmir Badalli si masë të fundit Gjykata ua kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak, por ndaj të njëjtëve Prokuroria nuk ka paraqitur kërkesë për vazhdim ose ndryshim të kësaj mase.
Gjithashtu, Gjykata edhe ndaj të dyshuarit Burim Mazreku si vendim të fundit kishte caktuar masën e paraqitjes në stacion policor dhe po ashtu për të njëjtin, Prokuroria nuk ka paraqitur kërkesë për vazhdim ose ndryshim të masës.
Kurse, ndaj të dyshuarit Enver Amrllahu, me vendimin e 19 prillit 2023 i ishte zëvendësuar masa e paraburgimit me atë të dorëzanisë, si dhe të dyshuarit Kujtim Gashi i ishte zëvendësuar masa e paraburgimit me atë të lajmërimit në stacion policor. Për Amrllahun dhe Gashin, po ashtu nuk është paraqitur kërkesë për ndonjë masë.
Lidhur me këtë rast, prokurorja speciale e ngarkuar me këtë çështje penale, Merita Bina-Rugova tha për “Betimi për Drejtësi” se ende nuk është ngritur akuzë ndaj të dyshuarve për vrasjen e të riut nga Kukësi.