Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në rrugën ‘Bill Clinton’ në Prishtinë, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri kanë mbetur të plagosur tre persona të mitur. Të dyshuarit lidhur me rastin, menjëherë pas kryerjes së veprës janë larguar në drejtim të panjohur dhe ende nuk kanë rënë në prangat e Policisë.
Sinjali mëson se të dyshuarit janë identifikuar dhe ata janë Ervin Jetullahu dhe Arianit Avdullahu.
Jetullahu dhe Avdullahu dyshohet se pas konfliktit që patën me viktimat, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre dhe më pas janë larguar që aty.
Njësitë policore dolën menjëherë në vendin e ngjarjes, teksa tre të miturit që u plagosën u dërguan me urgjencë për në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor.
Drejtori i Qendrës së Mjekësisë Urgjente në Prishtinë tha mbreme për Sinjalin se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë.
“Të plagosurit janë të vitit 2006, 2006 dhe 2008, janë jashtë rrezikut për jetë. Njëri ka plagë në dorë”, u shpreh Avdyli.
Në kuadër të veprimeve hetimore është marrë dëshmia edhe e pesë personave tjerë që rastisën të jenë dëshmitarë në momentin kritik.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vrasje në tentativë’, teksa po vazhdojnë hetimet për të lokalizuar vendndodhjen e të dyshuarve.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.