Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë, ka deklaruar mbrëmë se SHBA kanë vendosur sanksione ndaj kreut të BIA-s, Aleksandar Vullin, “për shkak të Moskës dhe qëndrimit të tij ndaj Rusisë” dhe se “nuk do të kishte sanksione për Vullinin sikur Beogradi të kishte vendosur sanksione ndaj Moskës”.
“Më kanë thanë, e di, më kanë thanë “ti vendos sanksione ndaj Rusisë dhe nuk do të ketë sanksione ndaj askujt nga Serbia”, ka deklaruar Vuçiqi në televizionin në shërbim të tij “TV Pink”.
Lidhur me informacionet për përfshirjen e Vullinit në trafikun e armëve dhe drogës, Vuçiq pretendon se Serbia “do ta ndjekë penalisht Vullinin nëse i dorëzohen këto informacione”.
“Por këto informacione “nuk ekzistojnë”. Arsyeja është Moska, qëndrimi i tij ndaj Rusisë, dhe sikur unë të kisha shpallur sanksione kundër Rusisë vetëm disa ditë më parë dhe t’i kisha nënshkruar ato, nuk do të vendoseshin sanksione kundër tij”, ka pretenduar Vuçiqi.
Në lidhje me pretendimet se Vullini ka lidhje me arrestimin e policëve të Kosovës, Vuçiq ka thënë se “ai as nuk e di” se si ka ndodhur ky arrestim.
Megjithatë, sipas tij, situata me sanksione është serioze dhe Serbia duhet ta trajtojë si të tillë.
“Duhet ta trajtojmë në atë mënyrë që të dimë se marrëdhëniet me SHBA janë të rëndësishme për ne, sepse kemi marrëdhënie të mira”, ka pretenduar Vuçiqi dhe ka thënë se “në administratën amerikane ka shumë njerëz me të cilët bashkëpunojmë mirë, dhe se për këtë arsye kjo nuk është situatë e lehtë për ne”.
“Unë i thashë edhe Vullinit se nuk ka pse të më shpjegojë që nuk është fajtor, nëse dikush është fajtor jam unë, kjo është politika ime, por është një situatë e rëndë për ne dhe duhet ta trajtojmë në atë mënyrë”, ka përfunduar Vuçiq.