Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj bashkësisë ndërkombëtare, duke i fajësuar ata për, siç tha, dobësimin e Serbisë ndërkohë që ndihmojnë shtetet e tjera në rajon të forcohen.
Në një fjalim të mbajtur të dielën, Vuçiq tha se i ishin bërë shumë premtime nga ndërkombëtarët lidhur me zgjedhjet në Kosovë, por ato nuk ishin mbajtur.
“Turp për ju, ju kopilë”, deklaroi ai në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Duke komentuar për procesin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës, Vuçiq tha se Serbia ishte shtyrë të heshtë dhe të shikojë përpara, me premtime se “askush nuk do ta prekë Kosovën”.
“Ishte e vështirë dhe e dhimbshme për një serb ta shihte. Ne heshtnim, na detyruan të heshtnim, na thanë të shikonim drejt së ardhmes, atje nuk ka më luftëra dhe konflikte. Askush nuk do ta prekë Kosovën, është e juaja. Keni edhe Republikën Serbe, gjithçka po shkon normalisht. Pastaj serbët thanë, Kosova nuk mund të bëhet, tani do t’ju marrim 14 përqind të territorit tuaj…”, deklaroi ai.
Por sipas tij, më vonë pasuan kërkesa të reja dhe humbje të territorit.
“Ata [të huajt] forcojnë gjithçka përreth nesh dhe vetëm na dobësojnë ne. Në vend që të thonë se bënë një gabim për Kosovën apo për Republikën Serbe, ata nuk pranojnë asgjë. Sepse të mëdhenjtë, të fortët, arrogantët nuk gabojnë kurrë, por gabojmë vetëm ne, të vegjlit. Ata që nuk duan të jenë shërbëtorët e tyre”, shtoi ai.
“Dhe një serb nuk do të jetë shërbëtori juaj.”
Në fund, Vuçiq iu referua drejtpërdrejt situatës në Kosovë duke shprehur zhgënjimin e tij me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare dhe qëndrimin e tyre ndaj Serbisë dhe popullit serb në Kosovë.