Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq ka folur në telefon me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Siç ka thënë vet Vuçiq, temë kryesore e kësaj bisede kanë qenë tensionet në veri të Kosovës.
Presidenti serb ka thënë se Serbia nuk e ka thyer asnjë pikë të Marrëveshjes së Brukselit, dhe as nuk “ka rrezikuar paqen”, siç pretendon ai se ka bërë Kosova me dërgimin e forcave policore në veri.
“Pushtimi i plotë me automjete të blinduara në veri të Kosovës dhe Metohisë, i cili po kryhet nga Prishtina, ka vazhduar për shtatë ditë dhe të gjithë në bashkësinë ndërkombëtare heshtin me zë të lartë”, theksoi Vuçiç.
Siç thotë ai, të gjithë “befas shqetësohen kur shohin helikopterë dhe aeroplanë serbë në territorin e Serbisë qendrore, sepse mendojnë se ata nuk duhet të ekzistojnë, ose nuk duhet të ngrihen derisa Kurti ose dikush nga bashkësia ndërkombëtare të miratojë atë”, ka thënë presidenti serb.
Duke folur tutje për bisedën që ka pasur me Stoltenbergun, Vuçiq thotë se e ka pyetur atë se cilën normë apo rregullore e ka shkelur Serbia me veprimet e saj.
Vlen të përmendet se Serbia po provokon vazhdimisht afër kufirit me Kosovën duke bërë manovra ushtarake me fluturaket e ushtrisë së saj.