Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se në bisedimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për çështjen e targave, nuk është arritur asnjë marrëveshje.
“Për arsye të paqarta, nuk kemi arritur absolutisht asnjë marrëveshje”, tha Vuçiq pas bisedimeve disaorëshe, të hënën në Bruksel.
“Sot është e qartë për të gjithë se kush ishte konstruktiv dhe kush përpiqet për paqe dhe stabilitet. Për arsye të paqarta për mua, nuk arritëm absolutisht asnjë marrëveshje,” tha Vuçiq në fillim të fjalimit të tij. Dua t’i mbledh të gjitha përshtypjet dhe do t’i drejtohem njerëzve tanë”.
“Ne kemi netë pa gjumë dhe shumë ditë të vështira përpara. Kur flisni për diçka në të ardhmen, duhet të respektoni marrëveshjet që janë nënshkruar. Ata duan të respektojnë diçka që as nuk është diskutuar. Sigurisht që nuk do të jetë e lehtë në periudhën e ardhshme”, tha Vuçiq.
Në Bruksel ka përfunduar takimi i përbashkët ndërmjet kryediplomatit evropian, Josep Borrell, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Takimi u mbajt me ftesë të kryediplomatit evropian, Josep Borrell, ndërsa nisi rreth orës 10:00.
Fillimisht, Borrell mbajti takime ndaras me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq.
Borrell tha mbrëmë se e ka thirrur këtë “takim urgjent”, për shkak të nevojës për të shtensionuar situatën.