Wesley Clark pritet të dëshmojë më 18 ose 19 nëntor në Hagë

Wesley Clark pritet të dëshmojë më 18 ose 19 nëntor në Hagë

Gjykata Speciale në Hagë ka konfirmuar se informacionet lidhur me dëshmitarët e mbrojtjes në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, janë nën kompetencën ekskluzive të palës mbrojtëse, pasi bëhet fjalë për dëshmitarët që mbrojtja dëshiron t’i paraqesë në gjykim.

 “Ne mund të ofrojmë vetëm informacion që është komunikuar publikisht nga mbrojtja tek Trupi Gjyqësor. Në parashtresën e tyre të datës 22 tetor, mbrojtja e Thaçit tregon se gjenerali Wesley Clark do të jetë dëshmitari i tyre i fundit dhe se ai nuk do të dëshmojë para pasdites së 18 nëntorit, ndoshta në mëngjesin e 19 nëntorit,” ka bërë të ditur Gjykata Speciale në përgjigjen e saj për Front Online.

Në parashtresën e dorëzuar më 22 tetor, mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka njoftuar se Gjenerali Wesley Clark do të jetë dëshmitari i fundit i mbrojtjes.

“Gjenerali Wesley Clark do të jetë dëshmitari ynë i fundit dhe ai nuk do të dëshmojë para pasdites së 18 nëntorit, ndoshta në mëngjesin e 19 nëntorit,” thuhet më tej në përgjigje.

Gjykata ka theksuar se për më shumë detaje lidhur me dëshminë e planifikuar, duhet të konsultohet drejtpërdrejt dokumenti i dorëzuar nga mbrojtja.

Related Articles