Shefi i ri i Qeverisë teknike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka mbajtur sot mbledhjen e parë me kabinetin qeveritar.
Nëpërmjet një postimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, Xhaferi ka thënë se pret nga anëtarët e Qeverisë që të punojnë me përkushtim në interes të qytetarëve.
“Sot e hapa seancën e parë të Qeverisë. Pres që të gjithë anëtarët e Qeverisë të investojnë gjithë diturinë dhe përvojën e vetë dhe do të punojnë me përkushtim në interes të qytetarëve dhe se të gjitha sfidat para nesh do i kalojmë së bashku, në mënyrë transparente dhe profesionale”, shkroi ai.
Kujtojmë se kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, të hënën e 29 janarit ka marrë zyrtarisht detyrën nga paraardhësi i tij, Dimitar Kovaçevski.
Qeveria teknike do të funksionojë për 100 ditë dhe do të ketë mandat për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare, më 8 maj.
Pjesë e Qeverisë teknike është edhe partia opozitare maqedonase, VMRO DPMNE, e cila në kabinetin e Xhaferit do të drejtojë Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe ka edhe tre zëvendësministra me kompetenca të veçanta.
Pavarësisht se është pjesë e Qeverisë, VMRO DPMNE-ja të dielën, më 28 janar, nuk votoi për ekzekutivin teknik.
Kjo parti edhe të hënën doli me akuza për personalitetin e Xhaferit të Bashkimit Demokratik për Integrim, i cili e kishte nominuar për postin e kryeministrit.
Kjo parti akuzoi edhe Lidhjen Social Demokrate (LSDM) “për dëmtimin e interesave maqedonase”.
Për zgjedhjen e ekzekutivit, votuan 65 deputetë, tre ishin kundër dhe nuk pati abstenim.
Për Bashkimin Demokratik për Integrim mbështetësit e këtij subjekti, zgjedhja e Talat Xhaferit për drejtimin e Qeverisë teknike, “është arritja më e madhe të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”.