Stadiumi “974”, arenë në të cilën u zhvilluan disa prej ndeshjeve në Kampionatin Botëror të futbollit u përfol se mund të bartet në Kosovë për shkak të strukturës së tij të ndërtimit prej 974 kontenjerëve.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, kishte zbuluar për KosovaPress se Kosova ka kandiduar për ta marr atë stadium, sidomos pas vizitës së Gianni Infantinos në Kosovë.
Por, një gjë e tillë duket vështirë e realizueshme dhe është Ademi ai që ka thënë se kostoja tejet e lartë e bartjes së tij nga Katari në Kosovë është pengesa kryesore.
Por, përkundër kësaj, i pari i FFK-së thotë se Kosova është ende në garë sepse edhe më tutje nuk është vendosur se kujt do t’i jepet ai stadium.
“Edhe jemi ende në garë sepse nuk i është dhënë askujt. Jemi konkurrent potencial, por ne nuk e kemi plotësuar një kriter, kriteri është që nuk kemi dërguar pjesë garantuese, apo letër garantuese që transportin do ta bëjmë sepse është kriter, është kusht”.
“Ne si federatë nuk kemi mundur sepse aq sa kushton me njohuritë që janë dhënë përafërisht, nuk e kemi buxhetin, përafërsisht aty është buxheti i Federatës së Futbollit dhe nëse ne e dërgojmë një garancion me buxhetin tonë, do të thotë do të ishte e pa arsyeshme për vetë faktin se nëse ti e harxhon të gjithë buxhetin në transport, atëherë si do të veprojmë si federatë”.
“Është shumë dhe tani presim, pavarësisht kësaj të gjejmë mirëkuptim dhe nëse na dhurojnë atë stadium do të jetë do të jetë mundësia ndoshta me sponsor, pak ne, pak shteti dhe dikush, që të mundohemi që ta sjellim atë stadium këtu që do të ishte mrekullia vetë”, ka thënë Ademi.