Viktor Buzhala zëdhënës në KEDS, ka thënë se si pasojë e krizës energjetike në Evropë, kjo po ndikon edhe në Kosovë.
Sipas tij çmimi i energjisë për një ditë më herët në berzën e Hungarisë- HUPX, që ishte 295 EUR/MËh, për javën 4-10 korrik, u rrit në 348 EUR/MËh, kurse për javën 11-17 korrik dhe në 419 EUR/MËh për javën 18-24 korrik .
Buzhala thotë se për 3 ditët e para të kësaj jave çmimi është 506 EUR/MËh.
Madje, këto ditë është thyer edhe rekordi, duke arritur një moment në mbi 735 EUR/MËh.
Njoftimi i plotë:
E tërë Evropa po hyn në një krizë të thellë energjetike. Përderisa kontinenti i vjetër po ballafaqohet me një verë jashtëzakonisht të nxehtë, me temperatura të larta që thyejnë rekordet çdo ditë, automatikisht është rritur edhe kërkesa për energji elektrike. Krahas kësaj rritje, ka rënie të madhe të reshjeve, dukshëm nën mesataren sezonale, duke bërë që edhe prodhimi i elektricitetit të jetë shumë më i pakët nga centralet elektrike.
Thatësira, pamundësia për të transportuar qymyr në disa termocentrale nëpërmjet lumenjve në Gjermani dhe mosfunksionimi i termocentraleve bërthamore , që ftohen nga ujërat që vijnë nga lumenjtë në Francë, e bënë situatën edhe më kritike. Krahas kësaj situate, në Evropë vërehen çmime rekorde edhe të gazit natyror për shkak të uljes graduale të rrjedhës së gazit nga Rusia.
Rritja e kërkesës në njërën anë dhe zvogëlimi i prodhimit në anën tjetër, ka bërë që anekënd Evropës të fluturojnë çmimet e energjisë elektrike.
Çmimi i energjisë për një ditë më herët në berzën e Hungarisë- HUPX, që ishte 295 EUR/MËh, për javën 4-10 korrik, u rrit në 348 EUR/MËh, kurse për javën 11-17 korrik dhe në 419 EUR/MËh për javën 18-24 korrik . Për 3 ditët e para të kësaj jave çmimi është 506 EUR/MËh. Madje, këto ditë është thyer edhe rekordi, duke arritur një moment në mbi 735 EUR/MËh.
Kjo situatë ka afektuar edhe Kosovën. Pos çmimeve enorme, nevoja për energji elektrike ka kufizuar ndjeshëm edhe mundësitë tregtare. Në tenderët që kemi zhvilluar së fundmi, në shumicën e rasteve nuk kemi pranuar asnjë ofertë. Në rast oferte shfaqen çmime ekstra të larta sipas kushteve të tregut.
Krijimi i këtyre situatave qysh verës, bën që të mbizotërojë një situatë shumë e pasigurt. Prandaj, në këto rrethana i lusim konsumatorët që të krijojnë mekanizma kursimi dhe të orientojnë ngrohjen e hapësirave të tyre të banimit nga format alternative për stinën e dimrit. Ndërmarrja e këtyre veprimeve ul ndjeshëm nevojën për import dhe rrit të njëjtën kohë sigurinë e furnizimit, që varet shumë edhe nga stabiliteti i prodhimit vendor.