Zelensky i ‘frenon” raportet me Kosovën, takoi Vuçiqin, shtrëngimit të duarve me Kurtin s’i dha rëndësi

Zelensky i ‘frenon” raportet me Kosovën, takoi Vuçiqin, shtrëngimit të duarve me Kurtin s’i dha rëndësi

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky pati dje një takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, i cili tha para pak javësh se Kyivi do të humbte gjithçka në rast se do ta njihte pavarësinë e Kosovës. Me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti nuk pati takim, përveç një shtrëngimi duarsh parmbrëmë, të cilin s’e përmendi fare më pas.

Mbi 50 politikanë, deputetë nga shtete të ndryshme, përfshirë kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin të Ukrainës, Oleksandr Merezhko nënshkruan në fillim të këtij muaji një letër të cilën ia drejtuan Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, shefit të diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell dhe Sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, Jamer Cleverly.

“Kosova është shtet sovran dhe demokraci funksionale”, thuhej në letrën e përbashkët ku kërkohej qasje më e ashpër ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe ku bashkësisë ndërkombëtare i bëhej thirrje për kthim në “ekuilibër dhe proporcionalitet” në marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

Kjo u pasua nga deklaratat e Merezhkos, përfaqësuesit të diplomacisë parlamentare të Ukrainës se mundësia e njohjes së pavarësisë së Kosovës po diskutohej në Kyiv.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq pati thënë se Ukraina do të humbte gjithçka në një ditë, nëse do ta njihte Kosovën. Ai dje pati rastin ta takojë në Greqi presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kompetencë e të cilit është vendimi i mundshëm për njohjen e Kosovës.

Zelensky dhe Vuçiq biseduan për “paprekshmërinë” e kufijve të Ukrainës.

Vuçiq tha se me Zelenskyn foli për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, si dhe për situatën në Kosovë.

“Ne iu referuam situatës në Ukrainë dhe Kosovë. Theksova edhe njëherë se Serbia respekton integritetin territorial të Ukrainës, gjë të cilën e kemi thënë qartë që nga nisja e konfliktit”, shkroi Vuçiq në një postim në Instagram.

Ndërkaq Zelensky tha se me Vuçiqin zhvilloi një takim të hapur, të sinqertë dhe frytdhënës.

“Një takim i hapur, i sinqertë dhe frytdhënës me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Bisedë e mirë për respektimin e Kartës së OKB-së dhe paprekshmërinë e kufijve. E ardhmja e përbashkët e shteteve tona është në shtëpinë e përbashkët europiane. Për zhvillimin e marrëdhënieve tona, kjo është në interesin tonë të përbashkët”, shkroi Zelensky në rrjetin social X, ish-Twitter.

Ata u takuan pas një darke joformale me liderë të shteteve të Ballkanit Perëndimor, ata të Bashkimit Europian dhe të Ukrainës e Moldavisë.

Të hënën në Athinë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pati një shtrëngim duarsh me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Zelensky nuk e përmendi këtë në një video të publikuar dje, ku ai fliste për vizitat e fundit që i zhvilloi në Europë.

“Katër vizita. Suedia, Holanda, Danimarka, Greqia. Samiti Ukrainë-Ballkan. Bisedime me krerët e Bullgarisë, Serbisë, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Moldavisë, Komisionit Evropian. Kthehemi në shtëpi me mbështetje të re politike dhe marrëveshje që e bëjnë Ukrainën më të fortë”, tha Zelensky, pa e përmendur fare Kosovën.

Kurti më 9 gusht i njoftonte anëtarët e kabinetit qeveritar se kishte pasur “një zhvillim pozitiv për Republikën e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar”, duke iu referuar letrës, në të cilën në njëfarë mënyre ishte përfshirë edhe Ukraina.

Pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, një deputet ukrainas, Oleksiy Goncharenko pa se kjo pjesë e Ballkanit, siç alarmohej, mund të prekej nga efektet e luftës që po zhvillohet në vendin e tij. Saktësisht një vit më parë, më 5 gusht 2022 kishte vendosur ta dorëzonte në Parlamentin e Ukrainës një draft-rezolutë për njohjen e Kosovës.

Deputeti ukrainas i cili e nënshkroi letrën ku thuhej se Kosova është shtet sovran, Oleksandr Merezhko i tha Gazetës Express në fillim të këtij muaji se “në mesin e deputetëve kemi diskutime për njohjen e Kosovës” dhe se për këtë “nuk u takon anëtarëve të parlamentit të vendosin”.

“Çështja e njohjes është kompetencë e Presidentit”, është shprehur ai.

Related Articles