Zelensky: Të vrarë dhe të plagosur nga sulmet ajrore në mbarë Ukrainën

Zelensky: Të vrarë dhe të plagosur nga sulmet ajrore në mbarë Ukrainën

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ka të vrarë dhe të plagosur në shpërthimet që kanë goditur qytetet në mbarë Ukrainën më 10 tetor. Këto sulme duket se janë sulme hakmarrëse, pasi Moska fajësoi Kievin për shpërthimin në urën që lidh Rusinë me Gadishullin ukrainas të Krimesë.

Kryeqyteti ukrainas u godit nga një valë shpërthimesh, teksa shërbimet e emergjencës thanë se një numër njerëzish janë vrarë dhe plagosur.

Autoritetet thanë se sulmet në Kiev kanë lënë të vrarë të paktën pesë persona dhe 12 të plagosur.

“Deri në këtë fazë, është konfirmuar vdekja e pesë persona dhe 12 janë plagosur”, tha këshilltari i Ministrisë së Brendshme, Anton Gerashchenko.

Mediat ukrainase po ashtu kanë raportuar për shpërthime edhe në Dnipro, Lviv dhe Ternopil.

“Ata po tentojnë të na shkatërrojnë dhe të na zhdukin nga faqja e dheut… duke shkatërruar njerëzit tanë që po flenë në shtëpitë e tyre në [qytetin e] Zaporizhjës. Po vrasin qytetarë më Dnipro dhe Kiev”, tha Zelensky në Telegram.

“Sirenat e sulmeve ajrore nuk po ndalen në mbarë Ukrainën. Ka sulme me raketa. Fatkeqësisht, ka të vdekur dhe të plagosur”.

Raketat ruse tronditin kryeqytetin ukrainas
FotogaleriRaketat ruse tronditin kryeqytetin ukrainas

Kreu i ushtrisë ukrainase tha se forcat ruse kanë lëshuar të paktën 75 raketa në Ukrainë mëngjesin e së hënës në Kiev dhe në qytetet në jug dhe perëndim të vendit.

“Shteti terrorist, Rusia, ka kryer sulme masive ajrore në territorin e Ukrainës dhe po ashtu ka kryer sulme me dronë. Në mëngjes, agresori ka lëshuar 75 raketa. Dyzetenjë prej tyre janë rrëzuar nga mbrojtja jonë ajrore2, tha gjenerali Valeriy Zaluzhny përmes një postimi në rrjetet sociale.

Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës tha se do të hakmerret për këto sulme.

“Armiku do të ndëshkohet për dhimbjen dhe vdekjen që ka sjellë në tokën tonë. Ne do të hakmerremi”, tha kjo ministri përmes një postimi në Facebook.

Ekipet e shpëtimit në vendin e ngjarjes pas sulmeve ruse në Kiev më 10 tetor 2022.
Ekipet e shpëtimit në vendin e ngjarjes pas sulmeve ruse në Kiev më 10 tetor 2022.

Kryetari i Kievit, Vitaliy Klitschko, tha se raketat goditën “infrastrukturën kritike” të kryeqytetit.

“Disa shpërthime në qarkun Shevçenskivski – në qendër të kryeqytetit”, shkroi në Telegram kryetari i Kievit, Vitali Klitscho.

Shpërthimet duket se kanë shënjestruar më shumë pjesë qendrore të Kievit krahasuar me sulmet ruse më herët gjatë luftës. Kryeqyteti ukrainas nuk kishte qenë cak i sulmeve për muaj të tërë.

Shpërthimet në Kiev janë dëgjuar rreth orës 08:15, sipas kohës lokale, thanë gazetarët dhe dëshmitarët.

Sipas dëshmitarëve, shpërthimet duket se ishin rezultat i sulmeve ajrore.

Ligjvënësja ukrainase, Lesia Vasylenko, ka postuar fotografi në Twitter që tregon pamjen pas njërit prej shpërthimeve që goditën ndërtesën kryesore të Universitetit Shtetëror të Kievit, që gjendet në qendër të qytetit.

Autoritetet në Ukrainë thanë se ka viktima nga shpërthimet në kryeqendrën ukrainase.
Autoritetet në Ukrainë thanë se ka viktima nga shpërthimet në kryeqendrën ukrainase.

Guvernatori i rajonit perëndimor ukrainas të Lvivit, tha se ka pasur bombardime ndaj infrastrukturës kritike, sikurse ndërtesat e energjisë.

Më herët, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se sulmet e fundit ruse ndaj caqeve civile në qytetin jugor të Zaporizhjës – ku u vranë 14 persona, përfshirë dhe fëmijë – ishin akt “i terrorizmit në nivel shtetëror”, që sipas tij, dëshmojnë se negocimi me Rusinë është i pamundur.

“Terrorizmi i vazhdueshëm i Rusisë ndaj popullatës civile natyrisht se është refuzim i negociatave të vërteta”, tha Zelensky përmes një video-mesazhi të publikuar në orët e vona të 9 tetorit. “Terrorizmi në nivel shtetëror është një prej krimeve më të këqija ndërkombëtare”, shtoi ai.LEXONI EDHE KËTË:Putin akuzon Ukrainën për “akt terrorizmi” në Urën e Krimesë

Deklaratat e Zelenskyt erdhën pak kohë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, akuzoi inteligjencën ukrainase për sulmin e fundit ndaj urës që lidh Rusinë me Gadishullin e aneksuar ukrainas të Krimesë. Putin tha se Ukraina ka kryer “akt të terrorizmit”.

Më 9 tetor, Putin po ashtu tha se forcat e inteligjencës së Ukrainës kishin pasur për cak të shkatërronin një pjesë kritike të infrastrukturës civile të Rusisë.

Zyrtarët thanë se tri persona u vranë në shpërthimin në Urën Kerç të shtunën.

Ndërkaq, në përditësimin e saj për luftën në Ukrainë, Ministria e Mbrojtjes së Britanisë tha se “forcat ukrainase po vazhdojnë të bëjnë presion ndaj forcave ruse si në verilindje, por edhe në jug, në Herson”.

Megjithatë, inteligjenca britanike tha se Moska po vazhdon të prioritizojë operacionet e saj në lindje të Ukrainës, kryesisht përreth Bahmutit, në rajonin e Donjeckut, ku forcat ruse po vazhdojnë tentimin e tyre për të depërtuar në qytetin që ka pësuar dëme të mëdha nga bombardimet.

Rusia po vazhdon të pësojë humbje, pasi Moska muajin e kaluar njoftoi se për aneksimin e paligjshëm të rajoneve ukrainase të Hersonit, Zaporizhjës, Donjeckut dhe Luhanskut – rajone të pushtuara pjesërisht nga forcat ruse.

Related Articles