Të shtunën në Skenderaj gjatë orarit të punës, polici Enver Smakiqi u lëndua nga familjarë të ish-nënkryetarit, Nuredin Lushtakut.
Përkundër zërave se ai ka pasur telashe në të kaluarën me familjen Lushtaku, i njejti po e mohon se ka ose ka pasur ndonjë herë problem me Lushtakët.
“Më mirë jam. Unë as nuk kam pasur as nuk kam kurgjo me familjen Lushtaku, kam qenë duke e kry punën zyrtare sen nuk kam pasur as skam kurgjo”, ka deklaruar ai për Insajderin.
I pyetur për detaje tjera se nga kush është lënduar ose nëse është lëshuar nga spitali, Smakiqi ka refuzuar të jap përgjigje duke thënë “Ju kërkojë falje, janë organet të cilat mund të ju informojnë”.
Ditë më parë ish-nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku e akuzoi policin Smakiqi për maltretim ndaj djalit të tij, Arbërit.
“Polici Enver Smakiqi pasi ka shqiptuar një gjobë ka vazhduar duke maltretuar fizikisht djalin tim Arberin. Unë kam qenë duke u kthyer në shtëpi me dy vëllezërit e mi dhe e kam parë djalin me veturë ndalur, ku jemi ndalur të shikojmë se çka është problemi, por sjelljet e policit Enver Smakiqi kanë qenë jashtëzakonisht jo normale dhe të dhunshme”, ka deklaruar Lushtaku.
Nga Sindikata e Policisë së Kosovës kanë thënë se Enver Smakiqi e ka pasur kokën e lidhur me fasha dhe se ka marrë pesë lëndime.
“Ka qenë një gjendje jashtëzakonisht stresuese dhe kokën e ka pas të lidhur me fasha, sipas tij i ka 5-6 lëndime dhe në secilin lëndim ka qepje”, tha kryetari i kësaj sindikate, Imer Zeqiri.