Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Millun Zogoviq, ka bërë një deklaratë shokuese duke thënë se Kosova është “krahinë jugore e Serbisë”.
Zogoviq tha kështu duke komentuar deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Tivat javën e kaluar.
“Qëndrimin tim nuk e ka ndryshuar me hyrjen në qeveri – Kosova dhe Metohija është krahinë jugore e Serbisë”, tha zëvendëskryeministri i Malit të Zi.
“Sa i përket detyrimeve ndërkombëtare të Malit të Zi, gjithçka do të respektohet, por unë kam mendimin tim se Kosova është pjesë e Serbisë e shkëputur qëllimisht. Këtë qëndrim e kam shprehur në Kuvend, disa ditë para se të hyja në qeveri. Asgjë nuk ka ndryshuar për mua”, është shprehur më tej Zogoviq.
Sipas tij, Serbia dhe Mali i Zi duhet të ndërtojnë raporte të qëndrueshme dhe afatgjata të bazuara në respektin reciprok.
Para pak kohësh, edhe Kuvendi i Malit të Zi iu referua institucioneve të Republikës së Kosovës si “institucione të përkohshme”.
Kjo ishte bërë në njoftimin zyrtar për media të publikuar në uebfaqen e Kuvendit të Malit të Zi për takimin mes kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq dhe ambasadorit të Serbisë në Podgoricë, Nebojsha Rodiq.