Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut kundërshton thirrjet antishqiptare në ndeshjen me Rumaninë

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut kundërshton thirrjet antishqiptare në ndeshjen me Rumaninë

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka reaguar me tone të ashpra ndaj skandalit të mbrëmshëm në ndeshjen e basketbollit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar në palestrën sportive të Kumanovës, e cila është shndërruar në skenë të ksenofobisë dhe urrejtjes etnike.

Koret e përsëritura me përmbajtje raciste dhe antishqiptare u dëgjuan qartë nga një pjesë e publikut, pa asnjë ndërhyrje nga autoritetet e pranishme në sallë.

“Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”, ishte një ndër thirrjet e përsëritura me ton kërcënues e përjashtues, që përshkruan atmosferën e tejmbushur me urrejtje në tribuna.

“Dënoj ashpër thirrjet raciste dhe anti-shqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes së basketbollit. Fjalët fyese dhe këngët që nxisin urrejtje, nuk kanë vend në shtetin dhe shoqërinë tonë”, ka shkruar Mexhiti në një reagim në Facebook.

Ai i cilësoi këto thirrje si sulm të drejtpërdrejtë ndaj parimeve të bashkëjetesës dhe barazisë që duhet ta karakterizojnë Maqedoninë e Veriut.

“Thirrjet me frymë fashiste nuk përfaqësojnë askënd prej nesh dhe nuk guxojnë të përsëriten më”, theksoi tutje Mexhiti, duke kërkuar vetëpërmbajtje dhe përgjegjësi institucionale.

Sipas mediave shqiptare në Shkup, edhe më shqetësues është fakti se këto thirrje janë bërë në praninë e zyrtarëve të lartë shtetërorë: kryeministrit Hristijan Mickoski, kryetarit të Kumanovës Maksim Dimitrievski, ministrit të punëve të jashtme Panço Toshkovski, zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviq dhe të tjerë, të cilët nuk dhanë asnjë shenjë reagimi apo përpjekjeje për të ndalur këtë gjuhë të rrezikshme.

Përveç koreve raciste të drejtuara kundër shqiptarëve, gjatë ndeshjes u dëgjuan edhe thirrje me përmbajtje skandaloze si: “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”.

Related Articles