“Zhduket” nga agjenda Projektligji për pagën minimale, Qeveria vet po e bllokon atë

“Zhduket” nga agjenda Projektligji për pagën minimale, Qeveria vet po e bllokon atë

Që nga 22 qershori i vitit të kaluar kur edhe u miratua në lexim të parë Projektligji për Pagën mininale, që nga ajo ditë ekzekutivi por as Kuvendi s’e ka zënë më në gojë procedimin tutje të këtij vendimi, shkruan Gazeta “Enigma”.

Sipas rregullores së Kuvendit, pas miratimit në lexim të parë, projektligji duhet të procedohet në lexim të dytë brenda dy-tre muajsh, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur që gati një vit. Kryeministri i vendit, Albin Kurti javë më parë paralajmëroi që Projektligji për rritjen e pagës minimale do të vazhdoj në lexim të dyte, por kjo nuk ndodhi.

Paga minimale në Kosovë aktualisht është 130 deri në 170 euro, por me projektligjin e ri që nuk po shkon në lexim të dytë, ajo pritet të rritet në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.

Projektligji në fjalë, në lexim të parë ka shkaktuar pakënaqësi qysh në fillim të tij, ku ndër të tjera nuk parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve të luftës, ashtu siç është aktualisht. Partitë opozitare patën kërkuar që paga minimale neto të rritet në 370 euro, ndërkohë që projektligji i ri parasheh që paga minimale të rritet në 250 euro neto.

Rregullorja e Kuvendit e ngarkon Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere për shqyrtimin e mëtejmë të Projektligjit për pagën minimale.


Për Gazetën Enigma, foli anëtari i këtij Komisioni, nga rradhët e partisë së Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.

Lekaj tha se Qeveria e ka bllokuar këtë ligj të procedohet tutje, prandaj edhe as nuk është në agjendën e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere.

“Jo, projektligji për Pagën Minimale nuk është në agjendë të Komisionit. Shumica Parlamentare me direktiva të Qeverisë e ka lënë anash dhe e ka bllokuar këtë Projektligj. “

Tutje, Lekaj thotë se ka kaluar edhe afati ligjor për të proceduar me këtë ligj, si pasojë e bllokimit nga ana e Qeverisë.

“Është hera e parë në praktikën e Kuvendit që një Projektligj mbetet në mes procedurave, dhe tani kanë kaluar disa muaj që nënkupton që më nuk ka afate kohore ligjore që të shtyhet përpara. Është për keqardhje dhe vendim i keq i Pushtetit, që Pagën Minimale ta lëjnë në 170 euro. Pra qytetarët e Kosovës vazhdojnë ta kenë ende pagën minimale 170 euro dhe jo 250 euro siç e kanë premtuar. Kjo është shqetësuese sepse në vendin tonë jeta është bërë vërtet e vështirë, dhe për më keq.”

Ai tha se Qeveria nuk po i’u ndihmon qytetarëve, dhe bën thirrje që të vetdijsohen sepse, sipas tij, këto janë vetëm ‘filozofi’ dhe ‘përralla’ të kryeministrit Kurti.

“Qeveria nuk po i ndihmon qytetarëve. Në gjendje normale, duhet që Qeveria ta procedojë prapë në Kuvend këtë Projektligj. Por bllokimi i këtij projektligji dhe shumë veprime të tjera, janë dëshmia që ky pushtet nuk po don të punojë në të mirë të mirëqenies së qytetarëve. Uroj që qytetarët po vetëdijsohen me realitetin që po ndodhë e jo të besojnë në filozofitë e përrallat e Qeverisë Kurti.” përfundoi Lekaj.

Për Gazetën Enigma, foli edhe  anëtari tjetër i këtij komisioni, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala.


Shala tha se Qeveria po e sheh gabimin e vet kur e ka iniciuar këtë draft. Ai përmend ankesat që kanë bërë institucionet  dhe se tani po e bllokon atë, për të mos shkuar në Kushtetuese siç ndodhi me ligjin për paga të institucioneve publike.

“Projektligji për Pagën minimale ka kaluar çdo afat kohor edhe logjik edhe juridik dhe është duke e vonuar mazhoranca, që parimisht është jashtë çdoo konteksti kohor dhe gjendjes reale ekonimike që ekziston në vend”, tha Shala.

 Tutje ai ngriti dyshime se edhe ky ligj mund të përfundoj në Gjykatën Kushtetuese, andaj kjo sipas tij mund të jetë arsyeja e bllokimit të këtij ligji.

Në anën tjetër për të sqaruar situatën se pse ky projektligj “u zhduk” nga agjenda e ekzekutivit, Gazeta Enigma ka kërkuar sqarime edhe nga zyra e kryeministrit, por që të njëjtit s’kanë dhënë përgjigje.

Pyetjet e njëjta janë dërguar edhe në adresë të kryetarit të Komisionit për Buxhet dhe Financa, Armend Muja ku do duhej të shqyrtohej projektligji. Por Muja pas pranimit të pyetjeve nuk ka kthyer përgjigje.

Në Kosovë vlerësohet se janë 100 mijë punëtorë në Kosovë, që marrin pagë minimale. /Gazeta Enigma/

Related Articles