Objekti i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë është përfshirë nga një zjarr, në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës, njofton Gazeta Enigma.
Si pasojë e zjarrit, një dhomë ku kanë qenë pajisjet e Teknologjisë Informative është djegur.
Në njoftimin e Spitalit thuhet se zjarri dyshohet të jetë shkaktuar si pasojë e një defekti në sistemin elektrik, në katin e katërt të objektit.
“Pjesëtarët e sigurimit kanë intervenuar menjëherë në shuarjen e zjarrit dhe po ashtu janë njoftuar Policia dhe Zjarrfikësit. Me intervenimin e shpejtë është ndalur përhapja e zjarrit”, thuhet në njoftim.
“Sa i përket data bazës dhe të dhënave tjera të gjitha janë të ruajtura ngase janë të lidhura me sisteme tjera informative dhe asnjë e dhënë apo data bazë nuk është humbur. Shërbimet ndaj pacientëve kanë vazhduar dhe po vazhdojnë të jepen si gjithnjë dhe puna po vazhdon normalisht, ndërsa ekipet e shërbimeve teknike janë duke u marrë me pastrimin dhe riparimet e nevojshme në dhomën e djegur dhe ambientet tjera të katit të IV të bllokut Kirurgjik”, përfundon njoftimi i Spitalit. /Gazeta Enigma