Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e teknologjisë së informacionit me temën “Platforma e shërbimeve online e-Kosova”, raporton Gazeta “Enigma”.
Përmes këtij auditimi ZKA synon të vlerësojë nëse platforma e-Kosova iu ofron qytetarëve shërbime, elektronike efikase, të sakta, të sigurta dhe të besueshme.
Fushëveprimi i auditimit përfshinë Agjencinë për Shoqërinë e Informacionit (AShI), e cila administron dhe menaxhon platformën e-Kosova, si dhe Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, me departamentet për Tatimin në Pronë dhe Menaxhimin e Skemave Sociale, të cilat ofrojnë shërbime përkatëse përmes platformës.
“E-Kosova është një prej sistemeve më të rëndësishme digjitale shtetërore, që ka për qëllim të modernizojë administratën publike, duke zvogëluar varësinë nga sportelet fizike dhe duke rritur transparencën e institucioneve”,thuhet në njoftim.
“Pavarësisht progresit në digjitalizimin e shërbimeve, siguria e informacionit dhe integriteti i të dhënave mbeten thelbësore për besimin e qytetarëve në platformën e-Kosova”, thuhet ndër tjerash.